
TIRANË (AA) – Partia Demokratike e Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate për mediat ka akuzuar qeverinë e majtë se ka bërë emërime të paligjshme në dogana dhe tatime, duke sjellë dy shembuj konkret, raporton Anadolu Agency (AA).
Oriela Nebijaj, zëdhënësja e Partisë Demokratike ka deklaruar se i akuzuari dhe i shpalluri në kërkim për përdhunim është bërë doganier në Korçë, ndërsa një tjetër i arrestuari sipas saj për falsifikimin pasaportash, është bërë shef i IT-së në drejtorinë e Tatimeve në Korçë.
“Kjo ka ndodhur me Elton Bashollin në Korçë. Nëse bëni një kërkim në arkiv do t’iu dalin dhjetëra lajme për këtë ngjarje të rëndë, ku një e re nga ky qytet e ka denoncuar pas dhunimit seksual, dhe ndaj tij ka filluar procedimi. Relis Mulla u arrestua dhe ndaj tij nisi procesi hetimor në korrik të vitit 2011, pasi kishte prodhuar dhjetëra pasaporta përmes falsifikimit të të dhënave, për persona me precedentë në Europë. Këto raste, dhe qindra të tjera që Partia Demokratike ka denoncuar janë arsyeja madhore pse dekriminalizimi duhet bërë, pse vendi dhe qytetarët duhet të çlirohen një orë e më parë nga këta banditë të veshur me kollaro e pushtet nga Edi Rama e Ilir Meta”- deklaroi ndër të tjera zëdhënësja e PD-së në deklaratën për mediat.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.