Trileçja, ëmbëlsira e cila është në trend në Shqipëri
Për të mësuar më shumë rreth mënyrës së përgatitjes së kësaj ëmbëlsire Anadolu Agency ka kontaktuar me Trëndafile Nuellarin e cila për një kohë të gjatë është marrë me përgatitjen e kësaj ëmbëlsire.

TIRANË (AA) – Si në çdo vend tjetër, edhe në Shqipëri, ëmbëlsirat kanë një vend të veçantë në traditën familjare, por jo vetëm, pasi janë pjesë e pa ndashme edhe e ceremonive dhe festave të ndryshme. Përpos llojeve të ndryshme të ëmbëlsirave tradicionale, por edhe atyre të imituara nga vendet e ndryshme të botës, tashmë pjesë e pandashme e menusë së shqiptarëve është bërë edhe trileçja, një ëmbëlsirë kjo që tashmë gjendet pothuajse në çdo pastiçeri.
Për të mësuar më shumë rreth mënyrës së përgatitjes së kësaj ëmbëlsire Anadolu Agency ka kontaktuar me Trëndafile Nuellarin e cila për një kohë të gjatë është marrë me përgatitjen e kësaj ëmbëlsire. Ajo tregon se sapo e ka parë këtë ëmbëlsirë dhe ka mësuar përbërësit e saj e ka përgatitur vetë pastaj.
“Fillimisht kemi vajtur në një restorant, ku disa të afërm kishin marrë trileçe. Por pasi erdhëm në shtëpi më lindi ideja ta përgatisja vetë dhe pas disa provash dhe njohurish që mora arrita ta përgatis ashtu siç duhet me gjithë përbërësit e saj”- tregon Trëndafile Nuellari.
Por kush janë përbërësit e ëmbëlsirës së trileçes? Këto përbërës janë: vezët, sheqeri, mielli dhe 3 lloje të qumështit (qumësht pluhur, i freskët, dhe qumësht i kondensuar panda). “Si fillim do marrim vezët do ti rrahim gjysmat të bardhat dhe të verdhat të veçuara. Pastaj tek të bardhat hidhet sheqeri, hidhet aq lugë sheqer, aq miell, aq vezë. 1 kokërr vezë, 1 lugë miell, 1 lugë sheqer është masa. Pastaj varet nga sasia e ëmbëlsirës, nga madhësia e tepsisë dhe tavës ku ajo përgatitet. Të gjithë përbërësit përzihen dhe në fund bashkohen me të verdhën e vezës”- tregon Nuellari mënyrën e përgatitjes së trileçes.
Ajo tregon se pasi të jetë bërë gati e gjitha përzierja e përbërësve, pjekja duhet të realizohet me temperaturën 160 gradë dhe mund të zgjasë deri në një gjysmë ore. “Pasi të piqet e largojmë nga furra dhe pasi të ftohet pak, vjen procesi i hedhjes së tre llojeve të qumështit. Tre llojet e qumështit përzihen bashkë. Pas qumështit në fund hidhet edhe kremi keramel”. Ndërkohë me procesin e fundit të hedhjes së kremit karamele ëmbëlsira e trileçes konsiderohet e përfunduar dhe e gatshme për tu servirur.
Por nga e ka origjinën kjo ëmbëlsirë që tashmë është kthyer në një ëmbëlsirë të preferueshme për shqiptarët të cilët e përdorin atë edhe në ditë të shënuar si në raste festash, gëzimesh familjare (dasmë, fejesë, ditëlindje), etj. Në vitet e fundit shumë ëmbëltore në Tiranë, por edhe qytete të tjera të vendit, si në Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Shkodër, etj, kanë filluar ta përdorin masivisht, duke e kthyer në një trend, por pronarët e këtyre pastiçerive shumë pak e dinë origjinën e saj e cila realisht mbetet e debatueshme. Por nisur nga emra i saj, mendohet që origjina i përket vendeve të Amerikës Latine. Përveç vendasve, kjo ëmbëlsirë ka ngjallur interesin edhe të vizitorëve dhe turistëve nga vende të ndryshme të botës që vizitojnë Shqipërinë
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.