
TIRANË - Fatjon Cuka
Shqipëria, si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë anë e mbanë botës edhe këtë vit ka tërhequr vëmendjen dhe kureshtjen e shumë shtetasve të huaj për ta eksploruar atë në çdo potencial turistik që mbart.
Në Shqipëri, në stinën e verës kulmon edhe interesi i turistëve të huaj, por jo vetëm, të cilët zhvillojnë turizëm të ndryshëm si atë bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor.
Edhe vetë shqiptarët eksplorojnë qytetet historike, por edhe zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin tyre.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik.
Anadolu Agency (AA) ka bërë një vëzhgim në një ndër plazhet më të mëdha në Shqipëri, konkretisht në Durrës, ku gjatë gjithë sezonit turistik popullohet më turisë të kombësive dhe shteteve të ndryshme.
Për vetë pozitën gjeografike dhe afërsinë, shqipëtarët e Kosovës janë vizitorët më besnikë të bregdetit shqiptar.
Ata i gjen pothuaj në gjithë bregdetin, ku disa prej tyre gjatë sezonit turistik qëndrojnë për një kohë të gjatë, dhe një kategori pushuesish janë vizitor ditor të Shqipërisë.
Por në plazhet e Shqipërisë nuk mungojnë edhe pushues dhe turisë nga vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Serbia, etj, edhe pse nuk ka shifra zyrtare të turisteve nga këto shtete.
Shefqet Berisha tregon për Anadolu Agency (AA) se ka ardhur nga Rahoveci i Kosovës për të kaluar pushimet në Durrës, bashkë me të afërmit e tij dhe se është i kënaqur më kushtet në plazhin e Durrësit.
Ndërsa Zenel Gashi është një tjetër pushues kosovar që ka zgjedhur plazhin e Durrësit për të kaluar ditët e nxehta të verës. Ai ka udhëtuar nga Suareka për të kaluar disa ditë pushime në Durrës.
Por përveç turizmit bregdetar, pasioni i të huajve për Shqipërinë mbetet edhe për kulturën dhe trashëgiminë historikë që mbartin disa qytete.
Kështu Tirana, Kruja, Gjirokastra, Fieri, Durrësi, Saranda, etj tërheqin një numër të madh turistësh të huaj. Në Tiranë çdo javë, në muajt e verës kanë zbarkuar grupe të organizuara turistësh, ku përveç kryeqytetit, kanë shëtitur edhe në qytetet e lartpërmendura, të cilët ofrojnë një histori të pasur me muze, objekte historike, si dhe monumente natyrore.
Gjatë një vëzhgimi në kryeqytet, në fundjavë, Anadolu Agency (AA) kontaktoi me turistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, konkretisht nga Gjermania, Japonia, Britania e Madhe, Tajvani, Franca, etj. Pyetjes se çfarë i tërheq më shumë në Shqipëri, i përgjigjen se janë të impresionuar nga bukuritë natyrore dhe njerëzit miqësore, po ashtu edhe nga vlerat historike të disa qyteteve.
Justin është një turist nga Tajvani, i cili gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ka eksploruar disa qytete.
Simoni dhe Aneta janë një çift gjerman të cilët tregojnë për Anadaolu Agency (AA) se dëshirojnë të eksplorojnë sa më shumë Shqipërinë dhe bukuritë e saj.
-Shifrat zyrtare për turistët që kanë vizituar Shqipërinë-
Disa ditë më parë në një konferencë për shtyp, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke folur për zhvillimet në disa sektorë në Shqipëri, u ndal edhe tek turizmi, duke treguar edhe shifra konkrete apo edhe investimet që janë bërë për të rritur numrin e turisteve.
Sipas kryeministrit, duke iu referuar vetëm numrit të vizitorëve të huaj jo rezident në Shqipëri kemi deri tani, një rritje të fluksit të turistëve me 14% krahasuar me një vit më parë dhe një numër total vizitorësh jo rezidentë prej 1 milionë e 213 mijë.
Rama e quan një shifër mjaft të konsiderueshme duke pasur parasysh që jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Mesdheun e preku jo pak në këtë sektor, moti i keq i muajit korrik dhe duke pasur parasysh një specifikë të veçantë për vendin tonë që lidhet me muajin e Ramazanit.
Ndërkohë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka publikuar numrin e shtetasve që kanë hyrë dhe dalë në territorin e Shqipërisë gjatë këtij sezoni turistik, por edhe gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit për muajin qershor 2014 kanë hyrë/dalë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar 1261624 shtetas dhe 362185 mjete, në krahasim me qershor 2013, 1 022 294 shtetas dhe 331 304 mjete. Për muajin korrik 2014 kanë hyrë/dalë 1 774 631 shtetas dhe 485 000 mjete, në krahasim me korrik 2013, 1 704 640 shtetas dhe 425 722 mjete. Gjatë periudhës 01-15 Gusht 2013 është përballuar një fluks 1 418 686 shtetas dhe 360 133 mjete, në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2013, 1 346 134 shtetas dhe 306 550 mjete.
Autoritetet shtetërore nga korriku ngritën 9 kampe vullnetarësh, në 9 zonat më të frekuentuara nga pushuesit, vendas e të huaj, që nga Riolli, në Tale, në Gjirin e Lalzit, në Durrës, në Golem, në Vlorë, në Dhërmi, në Himarë dhe në Borsh. Numri total i personave të angazhuara në këto kampe është 1200 persona. Për herë të parë filluam të vendosim kullat e vrojtimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.