Përkujtohet 4 vjetori i demonstratës së 21 janarit 2011 në Tiranë
Pas takimit në kryeministri, familjarët kanë dalë së bashku me kryeministrin Rama nga ambientet e saj dhe kanë kryer homazhe në vendin ku u vranë 4 demonstruesit, pranë ndërtesës së kryeministrisë

TIRANË (AA) – Sot në Tiranë është përkujtuar përvjetori i katërt i vrasjes së 4 protestuesve gjatë demonstratës së 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot në orët e drekës familjarët e të vrarëve në protestën e 21 janarit janë pritur për rreth 40 minuta nga Kryeministri Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë pa praninë e mediave. Para se të hynin në kryeministri disa nga familjarët e viktimave kanë dhënë një prononcim të shkurtër për mediat. “Shpresojmë se qeveria do ta zbardhi këtë çështje” dhe se “këto janë punët e qeverisë dhe qeveria i di vetë punët e saj”- ishin disa nga fjalët e shkurta të vëllait të Hekuran Dedës, njëri prej viktimave të kësaj ngjarjeje të ndodhur katër vite më parë.
Pas takimit në kryeministri familjarët kanë dalë së bashku me kryeministrin Rama nga ambientet e saj dhe kanë kryer homazhe në vendin ku u vranë 4 demonstruesit, pranë ndërtesës së kryeministrisë. Kryeministri Rama ka vendosur lule, ndërsa familjarët e të vrarëve kanë vendosur lule dhe kanë vajtuar në pllakat përkujtimore të cilat janë vendosur në 4 vendet ku ata janë vrarë gjatë protestës së 21 janarit të vitit 2011
Kryeministri Rama gjatë marshimit përkujtimor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Kryeministrisë nuk ka bërë asnjë reagim rreth këtij përvjetori. Por ai e ka shkruar në Twitter rreth dhënies së drejtësisë për këtë ngjarje. “Koha për të lëvizur me një alternative të re kërkimi të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin!” ka shkruar Rama në profilin tij zyrtar në rrjetin social Twitter.
Më 21 janar 2011, opozita e asaj kohe, Partia Socialiste e Shqipërisë, së bashkë me partitë aleate të saj, organizuan një demonstratë masive kundra qeverisë së drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Por gjatë kësaj demonstrate pati konfrontime mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku mbetën të vdekur 3 protestues, ndërsa një tjetër vdiq disa ditë më vonë pasi kishte mbetur i plagosur, duke e çuar në 4 numrin e viktimave të kësaj demonstrate. Viktima ishin Ziver Veizi, Hekuran Deda, Fik Myrtaj dhe Aleks Nika, Ndërkohë gjatë kësaj demonstrate ka patur edhe një numër të madh të plagosurish. Edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga kjo ngjarje, procesi gjyqësor ndaj personave që janë nën hetim dhe gjykim nuk ka përfunduar.