
Prishtinë (AA) - 16 vjeçja nga Lipjani, D.B., është nëna e parë në vitin e ri 2015. Menjëherë pas ndërrimit të mot moteve, pak pas mesnatës, D.B. ka lindur vajzë. Bebja është e gjatë 49 centimetra dhe peshon 2 kilogram e750 gramë dhe të dyja, nëna dhe fëmija, janë në gjendje të mirë, bëjnë të ditur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), raporton Anadolu Agency.
Ndërkohë, në repartin tjetër të QKUK-së, në Klinikën Emergjente në Prishtinës, një vajzë e moshës 21 vjeçare i është nënshtruar intervenimit kirurgjik për heqjen e plumbit pasi që e njëjta ishte plagosur me armë zjarri, nga një plumb qorr, gjatë festimeve të Vitit të Ri, informon doktoresha Nergjivane Halimi.
Sipas mjekës së Klinikës Emergjente, 21 vjeçja është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili ka thënë se rasti i plagosjes nga arma e zjarrit ka ndodhur në Prishtinë , si pasoj e qitjes në ajër dhe plagosjes nga plumbi qorr.
Përndryshe, gjatë festimeve të sivjetme të vitit të ri në Kosovë, fatmirësisht, nuk ka pasur viktima edhe pse nuk ka kaluar pa incidente dhe të lënduar. Sipas raportimit të zëdhënësit të PK-ës, Baki Kelanit, deri në orët e para të 1 janarit, janë shënuar nëntë raste të lëndimeve të lehta trupore për shkak të përdorimit joadekuatë të petardëve dhe fishekzjarrëve. Ai po ashtu raportoi edhe për një rast të aksidentit të trafikut i cili ka rezultuar me lëndimin e rëndë e një personi.
Pranimin e një rasti në gjendje të rëndë shëndetësore e ka konfirmuar edhe Klinika Emergjente në Prishtinë e cila pohon se, personi në fjalë është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përndryshe, përkundër acarit dhe temperaturave tejet të ulëta, qytetarët e Prishtinës pritën Vitin e Ri në të hapur, së bashku me kryetarin e kryeqytetit Shpend Ahmetin dhe me një shou të fishekzjarrëve në sheshin “Zahir Pajaziti”. Festimet e sivjetme të Vitit të Ri kanë qenë më ndryshe se viteve të kaluara. Në qendër të Prishtinës është ngritur skena gjigante ku, për 12 orë rresht, kanë performuar këngëtarët dhe grupet e njohura muzikore kosovare , ndërsa përreth kanë qenë të vendosura shtandet e kafe-bareve më të njohura prishtinase.
Saktësisht në mesnatë, kryetari i Prishtinës ju uroi bashkëqytetarëve të tij një vit më të mirë se 2014-ta dhe premtoi se në vitin që po hymë, do t’ju bëjë më të lehtë jetën e tyre duke përmirësuar transportin publik me autobusët e rinj, çliruar trotuaret dhe duke përmirësuar shërbimet komunale.
Për të pritur Vitin e Ri në kryeqytetin e Prishtinës, ka pasur edhe bashkatdhetarë kosovar që kanë ardhur nga Diaspora por edhe shqiptarë nga shtetet e rajonit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.