
TIRANË (AA) – Instituti i Statistikave i Shqipërisë ka publikuar botimin me të dhëna për popullsinë në vend. Sipas INSTAT popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2015 arriti në 2.893.005 banorë duke pësuar një rënie prej 2.942 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2014, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga kjo popullsi, 1.462.005 janë meshkuj dhe 1.431.000 janë femra. Raporti gjinor i popullsisë së Shqipërisë është 102,1 meshkuj për çdo 100 femra, ndërsa mosha mesatare e popullsisë në 1 janar 2015 është 35 vjeç.
Ndërkohë sipas INSTAT gjatë vitit 2014 numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë 35.760, nga të cilët 18.683 ishin meshkuj dhe 17.077 ishin femra. Ndërsa gjatë vitit që kaloi në Shqipëri kanë ndodhur 20.656 vdekje, nga të cilat 11.111 ishin meshkuj dhe 9.545 ishin femra. Shtesa natyrore për vitin e kaluar ka qenë 15.104 persona.
Nga të dhënat e Institutit te Statistikave i Shqipërisë mësohet se në vitin 2014, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 46.413 persona, ku 52 përqind e zinin meshkujt. Në të njëjtin vit numri i emigrantëve në Shqipëri u vlerësua të jetë 28.486 persona. Rrjedhimisht popullsia e Shqipërisë ka pësuar një rënie prej 2.942 personash.
Qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri mbetet Tirana me 800.986 banorë, e ndjekur nga Fieri me 315.012 dhe Elbasani me 301.397 banorë. Qarqet me popullsinë më të ulët në vend janë Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 72.202, 85.461, 136.476 banorë. Nga të gjitha qarqet vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur rritje të popullsisë, ndërsa popullsia e të gjitha qarqeve të tjera ka pësuar rënie.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.