
PRISHTINË (AA) - Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar në ueb faqen e saj se, më 2 mars 2015, Forumi Evropian për Gjeostatistika në bashkëpunim me Eurostat-in e kanë zgjedhur hartën e Republikës së Kosovës hartën më të mirë të muajit, raporton Anadolu Agency.
“Kjo është një arritje e madhe për Agjencinë e Statistikave të Kosovës pasi përderisa disa vende të Rajonit sapo janë bërë anëtare të Forumin Evropian për Gjeografi dhe Statistika, e ku anëtarë të përgjithshëm janë 43 shtete të ndryshme të botës, Kosova arrin që për herë të tretë ta zë vendin e parë me hartën më të mirë të muajit. Kosova është anëtare e Forumit Evropian për Gjeografi dhe Statistika që nga viti 2010” shkruan në njoftimin e publikuar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Më tutje, thuhet se Harta e Kosovës me informacione statistikore e zgjedhur si hartë e muajit, përmban informacione statistikore lidhur me udhëtimet ditore dhe javore për arsye pune, për qëllim edukimi apo çështje familjare, që bëhen nga vendbanimet e tjera të Kosovës për në kryeqytetin e Prishtinës.
Po ashtu, bëhet e ditur se, në këtë hartë është kalkuluar mesatarja sipas distancës së udhëtimit për çdo udhëtar, ndërsa, sipas qëllimit të udhëtimit del se çdo udhëtar ka kaluar 34 km për qëllime pune. Për qëllime edukimi apo familjare, gjatësia e udhëtimit është 40 km.
Agjencia e Statistikave të Kosovës shpjegon se, njerëzit që udhëtojnë kanë ndikim si fenomen mbi flukset e qarkullimit të automjeteve, andaj të dhënat e paraqitura përmes kësaj harte janë të rëndësishme për planifikim dhe menaxhim të transportit dhe të trafikut rrugor urban.
Rëndësia e kësaj harte qëndron edhe në faktin se, rritja territoriale e qytetit, veçanërisht dendësia e popullsisë e ka rritur numrin e udhëtimeve, që në shumicën e rasteve manifestohet me problemet si: humbja e kohës, ndotja e mjedisit, aksidentet rrugore, aksidentet e këmbësorëve, mungesa e infrastrukturës për biçikleta e kështu me radhë.
Në fund, Agjencia e Statistikave të Kosovës njoftoi se, burimi i të dhënave për përpilimin e kësaj harte ka qenë Regjistrimi i Popullsisë 2011, ndërsa për analizë dhe vizuelizim të dhënave, është përdorur programi i ArcGIS-it, versioni 10.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.