jeta, archive

Bashkësitë fetare në Kosovë kërkojnë rregullimin e statusit juridik të tyre

- Liderët e të gjitha bashkësive fetare në Kosovë, janë takuar sot, në Prishtinë, në Konferencën e dytë vjetore të dialogut ndërfetar, të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

30.10.2014 - Përdıtësım : 30.10.2014
Bashkësitë fetare në Kosovë kërkojnë rregullimin e statusit juridik të tyre

PRISHTINË (AA) - Liderët fetarë të komunitetit islam, kishës ortodokse serbe, katolike, protestante ungjillore dhe të komunitetit hebraik në Kosovë janë takuar sot, në Prishtinë, në Konferencën e dytë vjetore të dialogut ndërfetar, të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, që ka për qëllim promovimin e tolerancës religjioze dhe ndëretnike, si dhe për të ndihmuar komunitetet fetare në artikulimin e qëndrimeve të përbashkëta për ngritjen e shqetësimeve të përbashkëta rreth çështjeve të cilat i mundojnë, raporton Anadolu Agency.

Në këtë konferencë, udhëheqësit e komuniteteve fetare të Kosovës, kanë përsëritur nevojën urgjente për përmirësimin e kornizës ligjore e cila do t’iu mundësonte të regjistrohen si persona juridik, rrjedhimisht, të kërkojnë rikthimin e pronës dhe të rregullojnë financat e tyre.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumbeger, në fjalimin e hapjes ka theksuar se, qëllimi i konferencës ndërfetare është që të zhvillojë edhe më shumë, tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike.

 “I përgëzoj prijësit fetar për gatishmërinë dhe përpjekjet e tyre për të përkrahur tolerancën fetare dhe ndëretnike në Kosovë, dhe për të punuar së bashku në rritjen e kulturës së besimit dhe respektit të ndërsjellë. Kërkesa e tyre e adresuar te institucionet e Kosovës vitin e kaluar për të plotësuar dhe përmirësuar kornizën ligjore për lirinë fetare duhet të trajtohet si prioritet” tha ambasadori Schlumberger dhe shtoi se, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdoj të përkrah iniciativat që promovojnë tolerancën ndërmjet komuniteteve fetare në vend.

 

Ai po ashtu rikujtoi se, ndërmjet të dy konferencave vjetore ndërfetare, janë organizuar 20 forume ndërfetare të nivelit lokal, 2 kampe ndërfetare për të rinj dhe mbledhja e parë ndërfetare për femra.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava theksoi se zhvillimet në botë, rajon dhe në Kosovë, kërkojnë angazhim të shtuar dhe të vazhdueshëm dhe urtësi kolektive e grupore, të komuniteteve fetare që jetojnë në Kosovë, mirëpo, nga ana tjetër përmendi edhe faktin se, kur një organizatë apo individ mbetet jashtë rregullave të përcaktuara nga faktori kohë dhe vend, është vështirë të mbahet hapi me kohën dhe sipas tij, mund të ketë pasoja si rezultat i neglizhencës dhe mospërfilljes së kërkesave të këtyre komuniteteve.

Duke rrëfyer se, BIK-u në mënyrë aktive, që nga paslufta e fundit, ka ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie shumë fetare dhe etnike, me qëllim të parandalimit të çdo të keqe e cila kishte me ndikua negativisht në rrjedhat e mëtutjeshme të raporteve ndërfetare dhe ndëretnike, Tërnava përsëriti vendosmërinë e BIK-ut që me shumë përkushtim të vazhdojë të ndërtoj marrëdhëniet e shëndosha ndërfetare dhe etnike.

Megjithatë, ai kritikoi mos rregullimin e statusit juridik të komuniteteve fetare në Kosovë, duke potencuar se, përkundër përpjekjeve të cilat i ka bërë OSBE-ja, kjo çështje nuk është rregulluar.  “Do të doja të ritheksoj në veçanti mungesën e Ligjit për pozitën juridiket të bashkësive fetare i cili do të na mundësonte ri-regjistrimin dhe rrjedhimisht, do të kishim një numër të regjistrimit i cili është aq i kërkuar, si për pronat e bashkësisë fetare, për çështje bankare, për çështjet e tatimeve të ndryshme, të doganave disa probleme nga përditshmëria e jonë” ka thënë myftiu Tërnava. 

Me këtë rast, ai ka ri-ngritur çështjen e varrezave, problem ky që ende mbetet i pazgjidhur dhe ka theksuar se qeveritë lokale do të duhet të kishin siguruar tokën për varrezat e reja, në mënyrë që të mos shkatërrohen varrezat e vjetra. Po ashtu, ai e ka përsëritur edhe problemin e vajzave të cilat janë të detyruara ta ndërprenë shkollimin ngase nuk lejohen ta vijojnë mësimin për shkak pamundësisë për të bartur shaminë.

Në fund, kryetari i BIK-ut, myftiu Tërnava, përsëri ka dënuar aktin se shkrimit të grafiteve në muret e Manastirit të Deçanit, duke theksuar se aktet e tilla janë të papranueshme dhe se, të gjithë e kanë për obligim që, gjeneratat e reja t’i edukojnë në frymën e paqes dhe tolerancës.

Ipeshkvi i Rashkës dhe Prizrenit i Kishës Ortdokse Serbe, Teodosije, ka theksuar se dialogu nuk ka alternativ dhe se dialogu i liderëve fetar duhet t’iu shërbej si udhërrëfyes, të gjithë qytetarëve të Kosovës, se si duhet jetuar së bashku, njëri me tjetrin. Ipeshkvi Teodosije ka thënë se, pavarësisht nga ngjarjet rreth nesh, feja nuk duhet të vendoset në shërbim të politikës apo çfarëdo konflikti. “Kemi shembullin të cilin e përmendi i nderuari myftiu Tërnava që, grafitettë cilat janë shkruar në muret e manastirit të Decanit dhe e kanë shqetësuar vëllazërinë që jeton në këtë manastir, por edhe më gjerë, mirëpo për mua ka qenë jashtëzakonisht domethënëse mbështetja e Bashkësisë Islame dhe Kishës Katolike, si dhe gjitha ambasadave dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë , duke e dënuar këtë që ka ndodhur si diçka që mund të rrënoj paqen dhe qetësin, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore” ka thënë ipeshkvi Teodosije duke potencuar se, ky veprim është shembull i mirë se i ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfetare , në Kosovë.

Nga ana tjetër, ai personalisht, ka dënuar gjithë atë që ka ndodhur po ashtu ka në Vojvodinë, pas ndeshjes Serbia-Shqipëria, kur kemi pasur një valë të dhunës dhe me atë rast janë djegur hyrjet e xhamive dhe furrat e bukës të shqiptarëve dhe goranëve. Njëhershëm, ipeshkvi Teodosije ka lavdëruar rindërtimin e kishave të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004 dhe ka treguar se , tash, ato janë në shërbim dhe aty po mbahen liturgjitë.

Ipeshkvi i Kishës Katolike në Kosovë, atë Dodë Gjergji, ka theksuar se bashkësitë fetare duhet të jenë bartëse të paqes dhe të propagojnë solidaritetin dhe dashurinë ndërmjet njerëzve. Ai ka theksuar se, pa pajtim nuk mund të ketë paqe të njëmendët.

Konferenca ndërfetare e mbajtur sot në Prishtinë,është në vazhdën e përpjekjeve të Misionit të OSBE-së në Kosovë që të ndihmoj mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın