
PRIZREN (AA) – Saktësisht në ora 18:30, para koktejit dhe ceremonisë zyrtare të hapjes së Dokufestit 2015, “postblloku kufitar ” mbi Urën e Gurit në Prizren ka filluar punën e tij, duke “vendosur” regjimin e vizave për të gjithë qytetarët e huaj që kanë ardhur për të vizituar DokuFestin2015, në veçanti për shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian që zbatojnë regjimin e vizave për kosovarët, qytetarëve të vetëm në Evropë që nuk mund të lëvizin lirshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Kompania turke Limak që është Pritës Zyrtar (Oficial Host) i edicionit të sivjetmë, ka sponsorizuar instilacionin i cili ishte një protestë kreative për izolimin i cili po iu bëhet kosovarëve dhe pamundësisë që ata të lëvizin lirshëm, pa viza, sikurse gjithë qytetarët e tjerë të shteteve të Evropës, përfshirë edhe ato të Ballkanit.
Aktorë të njohur kosovar të veshur me uniforma të Policisë Kufitare dhe Doganës së Kosovës, në “zyrat e kalimeve kufitare”, "obligonin" shtetasit e huaj dhe në veçanti ata të BE-së që të plotësojnë aplikacionet simpatike me pyetje qesharake, në mënyrë që t’iu lëshohet “pasaporta me vizë speciale” e cila iu mundësonte kalimin e lirshëm të Urës së Gurit. Në pyetësorin për aplikimin e “vizës” kishte pyetje qesharake, intime dhe provokuese, në stilin: A ju kujtohet emri i dashurisë së parë në shkollën e mesme? Sa kohë do të qëndroni mbi Urë (minuta apo sekonda) ? A frikësoheni nga merimangat? A besoni në zbarkimin e njeriut në Hënë? A mendoni se jemi të vetmuar në Univers? A mendoni se duhet të ju lejojmë të qëndroni në Urë? A jeni në gjendje ta kaloni Urën?
Të gjitha këto pyetje që ishin kusht për ta marr “vizën” për ta kaluar Urën e Gurit dhe shkuar në koktejin dhe ceremoninë zyrtare të hapjes së DokuFestit, në mënyrë shumë kreative dhe satirike, kanë përçuar mesazhin e protestës së kosovarëve për pamundësinë e lëvizjes së lirë dhe kërkesës për t’i dhënë fund mosdhënies së vizave, vetëm për kosovarët.
“Porositësit” e parë të procedurës së lëshimit të “vizave” dhe kontrollit mbi urë ishin një çift nga Australia. Ata, për disa çaste përjetuan atë që kosovarët e përjetojnë me muaj, kur duhet të aplikojnë për udhëtim jashtë vendit, në Evropë dhe botë. Komenti i tyre ishte se, kjo nuk është e drejtë që po u bëhet kosovarëve, sepse ky popull është i mrekullueshëm dhe meriton të jetë i barabartë me të tjerë. “Duhet të keni mundësi të udhëtoni. Ishte shumë e vështirë për ne që të vijmë këtu (në Urë). Duhet të keni mundësi që thjeshtë...të hipni në autobusë dhe të udhëtoni” tha australiani i ri.
Ndërkohë, ndalimin, plotësimin e aplikimit për “vizë” dhe kalimin e kontrolluar “rreptë” mbi Urë, e ka shijuar edhe producenti suedez i filmave dokumentar, David Aaronovitch. Ai u pajtua me këtë formë të protestës, duke u shprehur se ky është ilustrim i mirë i situatës. Producenti suedez i dokumentarëve, Aaronovitch është kundër vizave, jo vetëm për kosovarët por edhe qytetarët e shteteve tjera jo-anëtare të BE-së, që kanë nevojë për viza për të udhëtuar në Evropë. Sipas tij, kufijtë duhet të jenë të hapura për të gjithë dhe vizat janë gjepura. “Është një nga ato rregullat e çmendura që i bëjnë njerëzit e caktuar ilegal dhe të tjerët legal, ku krijohet koncepti i nacionalizmit” thotë David Aaronovitch, i cili për disa momente e shijoj se çfarë do të thotë të jesh i detyruar të durosh procedurat e pajisjes me vizë, qoftë edhe për disa minuta.
Një ndër ata të cilët e shijuan procedurën e “keqtrajtimit” gjatë aplikimit për viza, ishte edhe njeriu i cili çdo ditë ndeshet me këtë dukuri në zyrën e tij, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Dr. Johann Brieger. Në pyetjen e Anadolu Agency se çfarë ishte ndjenja, Brieger konstatoi se ishte interesant të ndërrohen rolet. “Është ndjenjë interesante të shohësh këtë në Kosovë. Natyrisht, ne këtë e shohim çdo ditë kur qytetarët e Kosovës presin në rresht dhe presin që t’iu lejohet kalimi i kufijve dhe udhëtimi. Kjo nuk është asgjë e re për ne në ambasadë. Ne mundohemi ta tejkalojmë këtë dhe punojmë shumë që kjo të tejkalohet dhe të mbetet në histori. Shpresoj se vitin e ardhshëm, kjo do të jetë pjesë e së kaluarës” tha ambasadori Brieger.
I pyetur nëse liberalizimi i vizave për kosovarët do të ndodh vitin e ardhshëm, Dr. Johann Brieger ishte shumë optimist dhe tha se, sipas të gjitha gjasave, nga viti i ardhshëm qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm dhe pa viza në BE.
Ideatori i këtij instilacioni kreativ të sponsorizuar nga Limak Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari" dhe të realizuar në bashkëpunim me Paper Communications, kompaninë e komunikimit dhe marketingut, Faton Mikullovci shpjegon se postblloku i cili është i rëndomtë për kosovarët por jo edhe për të huajt, do ta përçojë mesazhin në botë, lidhur me vuajtjet e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë. “Është një instilacion i cili duhet të japë një porosi për të gjithë ata mysafirë që vijnë nga jashtë, me e ndjerë vetën ashtu qysh ne rëndomë e ndiejmë vetën, kur vendosim me udhëtuar, kudo jashtë Kosovës” thotë Mikullovci.
Ai më tutje rrëfen se ky instalacion artistik i vendosur mbi Urën e Gurit, para hapjes zyrtare dhe në natën e hapjes së DokuFestit, do ta ketë efektin e vet dhe do ta mbështes logjikën e Migrimit, temës kryesore të edicionit të sivjetmë të DokuFestit. “Postblloku (rampa) është diçka që tregon ndalesën dhe që në mënyrën e vet, patjetër e kryen efektin, sepse njerëzit përreth nuk e dinë se çka po ndodh kurse postblloku vetvetiu e kryen atë interaksionin me njerëz” shpjegon ideatori i këtij instalacioni artistik, Faton Mikullovci i bindur se postblloku do t’i ftojë të pranishmit në Prizren që të shkojnë dhe të shohin se çfarë po ndodh tek Ura, sidomos mysafirët nga bota e jashtme dhe në veçanti shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat edhe më tutje zbatojnë regjimin e vizave për kosovarët.
“Ata janë njerëz të cilët, përveç që kanë ardhur këtu, ata edhe dalin dhe shëtisin çdo kund nëpër botë edhe këtë mesazh e përfolin në vendet e tyre, në vendet tjera ku udhëtojnë edhe mendohen kur donë me i thirr film bërësit nga Kosova, sepse para se me i thirrur, duhet t’iu japin kohë me marr vizë” përfundon Mikullovci.
Ura e Gurit, përveç se ishte “bllokuar” me “postblloqet kufitare” ishte e mbuluar edhe me një strehë, sipërfaqja e brendshme e së cilës është reflektuese dhe me dizajn të zogjve. Ky detaj simbolizon lëvizjen e lirë në Urë, ku shprehet dëshira dhe synimi i kosovarëve për të lëviz lirshëm ndërsa, anash urës janë të vendosura telat me gjemba që pasqyrojnë morbiditetin e izolimit të popullit të vetëm në Evropë, që ende nuk mund të lëvizë lirshëm dhe pa viza.
Gjithë këtë kolazh të porosive artistike e kompletojnë porositë e vendosura në tabelat anësore, në gjuhët kryesore të shteteve të Bashkimit Evropian, për dëshirën e qytetarëve të Kosovës që të vizitojnë lirshëm Parisin, Romën, Berlinin, Londrën, Amsterdamin, Brukselin, Athinë e kështu me radhë.
Zogjtë mund të fluturojnë lirshëm nëpër Evropë. Pse nuk mundemi edhe ne, kosovarët? – Ishte ky mesazhi i kësaj vepre artistike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.