BALLKANI, Koronavirusi

Maqedoni e Veriut, në 24 orët e fundit konfirmohen 2 vdekje dhe 48 raste me COVID-19

Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se numri i përgjithshëm i personave që kanë ndëruar jetë nga koronavirusi rritet në 32, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në 711

Dzihat Aliju   | 10.04.2020
Maqedoni e Veriut, në 24 orët e fundit konfirmohen 2 vdekje dhe 48 raste me COVID-19

Shkup

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 48 raste të reja të infektimit me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i rasteve është rritur në 711, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga ministria thuhet se në 24 orët e fundit po ashtu janë konfirmuar dy vdekje të reja nga COVID-19, duke e çuar në 32 numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga ky virus.

Sipas informatave të ministrisë, numri më i madh i rasteve të reja janë regjistruar në Kumanovë (25) dhe Shkup (11). Katër raste janë konfirmuar në Prilep, tre në Strugë, dy në Gostivar dhe nga një rast është konfirmuar në Shtip, Tetovë dhe Ohër.

Sa i përket numrit të përgjithshëm të rasteve, në Shkup janë regjistruar gjithsej 284 raste, ndërsa në Kumanovë 168. Qytetet tjera ku janë regjistruar më shumë raste janë Dibra me 49 dhe Prilepi me 50, ndërkohë që raste të konfirmuara ka në pothuajse të gjitha qytetet në vend.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë bërë 496, një numër rekord i testeve të COVID-19, me çka numri i përgjithshëm i testeve të kryera në vend është 7.067.

Kujtojmë se nga e mërkura, në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke kufizuar lëvizjen e lirë brenda javës nga ora 16:00 deri në orën 05:00 ndërsa ditëve të fundjavës duke filluar nga e premtja në orën 16:00 deri të hënën në orën 05:00.

Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın