BALLKANI

Gjithsej 11 shtetas nga Maqedonia e Veriut presin evakuimin nga Izraeli

“Kjo mund të ndodhë në ditët në vijim, varësisht nga zhvillimi i situatës së sigurisë. Si alternativë, ekziston mundësia e evakuimit përmes detit, me anije nga Ashdodi në Limasol”, tha ministria

Abdulbesar Ademi  | 22.06.2025 - Përdıtësım : 22.06.2025
Gjithsej 11 shtetas nga Maqedonia e Veriut presin evakuimin nga Izraeli Foto: AA/Arkiv

Shkup

Maqedonia e Veriut ka bërë të ditur se pas ri-mbylljes së hapësirës ajrore izraelite dhe Aeroportit Ben Gurion në Tel Aviv, të gjitha fluturimet drejt dhe nga Izraeli janë anuluar, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut tha se fluturimet pritet të rifillojnë gjatë ditës, varësisht nga situata e sigurisë. Nga atje njoftuan se 11 shtetas maqedonas aktualisht presin evakuimin me fluturim nga Tel Avivi.

“Kjo mund të ndodhë në ditët në vijim, varësisht nga zhvillimi i situatës së sigurisë. Si alternativë, ekziston mundësia e evakuimit përmes detit, me anije nga Ashdodi në Limasol, për të cilën ambasada është në komunikim të rregullt me shtetasit maqedonas dhe autoritetet kompetente izraelite”, tha ministria.

Nga atje njoftuan se përveç evakuimit të grupit të parë të qytetarëve të kryer me aeroplan qeveritar më 17 qershor, përfshirë ditën e sotme, 22 qershor, numri i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të interesuar për evakuim nga Izraeli është 27.

Nga atje theksojnë se ministria përmes Ambasadës në Tel Aviv mbetet në komunikim të vazhdueshëm dhe plotësisht në dispozicion të qytetarëve, deri në evakuimin e tyre të sigurt.

Njëkohësisht apelohet që të gjithë qytetarët të përmbahen nga udhëtimet në vendet e Lindjes së Mesme ku “situata e sigurisë është përkeqësuar seriozisht”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore "shumë të suksesshme" në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë në rajon.

Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.