Tetovë, shënohet 13 vjetori i themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore
Në EJL u zhvillua ceremonia e shënimit të 13 vjetorit të themelimit të këtij institucioni akademik, si dheu nderua pronari i kompanisë “Ecolog International”, Nazif Destani me titullin "Doctor Honoris Causa”
TETOVË (AA) – Në Universitetin e Evropës Juglindore (EJL), u zhvillua ceremonia e shënimit të 13 vjetorit të themelimit të këtij institucioni akademik, si dheu nderua pronari i kompanisë “Ecolog International”, Nazif Destani me titullin “Doctor Honoris Causa”, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e 13 vjetorit të themelimit të Universitetit EJL të pranishëm ishin rektori i këtij universiteti, Zamir Dika, kryetari i Bordit të Universitetit EJL, Dennis Farrington, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi, pronari i Ecolog International, Nazif Destani, rektor të universiteteve në Maqedoni dhe rajon, si dhe tenori shqiptar Kastriot Tusha, i cili performoi për të pranishmit një program të shkurtër muzikor.
Rektori Zamir Dika theksoi se në të njëjtën ditë para 13 viteve u zgjodh modeli i krijimit të një institucioni të arsimit të lartë në këtë vend, i cili jo vetëm që do të zyrtarizojë përdorimin e gjuhës shqipe, por njëkohësish do të ofrojë arsim të lartë dhe të krahasueshëm me standardet ndërkombëtare të arsimit duke qenë i hapur për gjithë studentët pa dallim të gjuhës apo përkatësisë.
“Pas 13 vitesh ky universitet ka një statut të veçantë në sistemin e arsimit të lartë në Maqedoni, si universitet i vetëm privat i Evropës Juglindore”, tha Dika duke falenderuar qeverinë e Maqedonisë dhe ministrin Ademi, që për herë të parë vlerësuan të arriturat e universiteti EJL dhe ndanë 10 përqind të buxhetit të këtij universiteti për projekte të përbashkëta.
Kryeministri Gruevski në fjalën e tij vlerësoi punën e universitetit EJL si njëri nga tre universitetet më të suksesshëm në Maqedoni. “Për herë të parë, në këtë vit akademik në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, qeveria e Maqedonisë vendosi të marr pjesë në financimin e këtij universiteti në vlerë prej 30 milion denarë në ndihmë të studentëve”, tha Gruevski, duke shtuar se arsimi është politika më e rëndësishme për qeverinë e Maqedonisë.
Ndërkohë, rektori Zamir Dika nderoi pronarin e kompanisë Ecolog International, Nazif Destanin me titullin “Doctor Honoris Causa”, të cilën e quajti shembull të përkryer të ndërmarrësisë ndërkombëtare, i cili është i lindur në Tetovë dhe që ka arritur të afirmohet me një multikompani të bazuar në Gjermani me mbi 12 mijë të punësuar.
Destani tha se me vlerësim më të lartë dhe me përulje pranon nderin nga universitetit EJL dhe se Ecolog ka nisur një bashkëpunim me studentët e këtij universiteti duke theksuar se, ”Talenti ndërmarrës është i rrallë dhe i çmuar. Sipas meje në këtë rajon ka shumë talente, por një nga dobësitë është vënia në funksion të këtyre talenteve dhe besoj se ndihma ime do të jetë dhurata më e madhe që mund ti dhuroj vendlindjes sime”.
Pas përfundimit të fjalimeve dhe ceremonisë, rektori Zamir Dika ftoi të gjithë pjesëmarrësit në fillimin zyrtar impiantit më të madh të biomasës në Maqedoni e cila do të zëvendësojë naftën si energji për ngrohje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
