arsim, archive

Nxënësit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni përgatiten për vitin e ri shkollor

Qeveria e Kosovës jep libra falas për 270.000 nxënës nga klasa e parë deri në klasë të nëntë

25.08.2015
Nxënësit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni përgatiten për vitin e ri shkollor

PRISHTINË/TIRANË/SHKUP  (AA) -  Institucionet përgjegjëse në fushën e arsimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedonia janë duke realizuar përgatitjet e fundit për fillimin e vitit shkollor 2015-2016. Por në vëmendje sidomos të prindërve janë edhe kostot financiare për dërgimin e fëmijëve të tyre në shkollë, raporton Anadolu Agency (AA).

 - Qeveria e Kosovës jep libra falas për 270.000 nxënës nga klasa e parë deri në klasë të nëntë-

 Gjashtë vitet e fundit, në Kosovë, nxënësit e arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët, nga klasa e parë deri në të nëntën, librat dhe tekstet shkollore i marrin falas nga Qeveria e Kosovës. Kështu do të jetë edhe sivjet kur më 1 shtator, nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, do ta fillojnë vitin e ri shkollor.

Bajram Shatri, drejtor i shtëpisë botuese Libri Shkollor për Anadolu Agency tha se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) do të shpenzojë rreth 7 milion euro për të pajisur me tekste shkollore rreth 280 mijë nxënës që mësojnë në gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Në pyetjen pse në këtë projekt nuk janë të përfshirë edhe nxënësit që mësojnë në gjuhën serbe, ai informoi se ata pajisen me tekste shkollore nga Serbia, do të thotë, punojnë me plan-program të Serbisë ngase MASHT-i nuk ka qasje në ato shkolla të cilat kryesisht gjenden në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan, por edhe në disa shkollat në Gora të Dragashit.

Sidoqoftë, pajisja me libra e rreth 280 mijë nxënësve të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët është një ndihmesë e madhe për qytetarët e Kosovës, ku sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), rreth 30% e popullatës jeton nën kufirin e varfërisë, me shkallë të papunësisë prej rreth 35 % dhe me rrogë mesatare prej 346 euro në muaj.

 “Tekstet shkollore, nxënësit kryesisht i marrin falas. Prej klasës së parë deri në klasën e pestë, të gjithë nxënësit, të gjitha nacionaliteteve, të gjitha gjuhëve, i marrin tekstet falas...   Ndërsa, klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, varësisht nga ajo sa janë ruajtur librat, sa janë kthyer gjatë vitit shkollor dhe pjesën tjetër që nuk janë kthyer, i marrin të reja dhe po ashtu falas. Do të thotë, tekstet e shkollave fillore dhe të mesme të ultë nuk shiten në shitje të lirë në librari, ato blihen nga Ministria e Arsimit” thotë Bajram Shatri, drejtor i Librit Shkollor, njërës nga dy shtëpitë botuese më të mëdha në Kosovë, të autorizuar për botimin e teksteve dhe mjeteve mësimore, së bashku me Dukagjinin.

Ai tregon se, Libri Shkollor dhe Dukagjini botojnë mbi 90% të teksteve shkollore në Kosovë, me përqindje përafërsisht 50-50%, ndërsa botues tjerë më të vegjël janë Albasi me seli në Tetovë dhe Shqipëri, për disa tekste të gjuhës shqipe, si dhe Oxfordi për tekstet shkollore të gjuhës angleze.

Libri Shkollor dhe Dukagjini tashmë i kanë shpërndarë tekstet shkollore nëpër 18 komuna dhe kanë mbetur edhe 12 -13 tjera, ndërsa sipas Shatrit, deri më 1 shtator kur fillon viti i ri shkollor, të gjithë nxënësit do t’i kenë librat në duar të veta.            

Drejtori i Librit Shkollor thekson se, sistemi i pajisjes së nxënësve me libra shkollor ndryshon nga rajoni.

Shatri tregon se në Shqipëri, librat shkollor i marrin falas vetëm kategoritë e popullatës që janë më të varfër dhe atë, duke i blerë librat në librari dhe pastaj faturat ua dorëzojnë shkollave, të cilat i përcjellin tek Qeveria për rimbursim. Kjo dallon nga sistemi në Kosovë ku shkollat nuk kanë lidhje me Qeverinë por, pajisja kryhet përmes botuesit dhe raportit Qeveri-Botues, duke mos ngarkuar fare familjarët. Siç thotë Shatri “e tëra që i mbetet fëmijëve është, të mësojnë”.       

Lidhur me furnizimin me literaturë shkollore të nxënësve të shkollave të mesme të larta, nga klasa 10 deri në atë të 12, në Kosovë kjo barrë u mbetet prindërve.  

“Shkollat e mesme të larta, nxënësit e këtyre shkollave pajisen duke i blerë librat. Qeveria nuk i paguan. Për gjimnaze, të gjitha tekstet ekzistojnë. Për të gjitha tipet e gjimnazeve ekzistojnë tekstet adekuate, për lëndë mësimore por, për shkolla profesionale nuk ka tekste dhe tami Ministria e Arsimit është duke bërë përpjekje që t’i sigurojë tekstet edhe për shkolla profesionale. Ata përkohësisht i shfrytëzojnë tekstet e gjimnazeve” thotë Shatri dhe shtonë se Libri Shkollor është botues i cili kryesisht boton tekstet për arsimin e mesëm të lartë.

Duke shikuar katalogun e botimeve të Librit Shkollor për vitin 2015-16, shohim se çmimi mesatar i një teksti shkollor për klasën 10 dhe 11 është 3,20 euro për libër. Nëse merret parasysh se, nxënësit i kanë mesatarisht nga 12 lëndë, atëherë kompleti i librave kushton 38,5 euro.      

Në vitin e 12-të, të fundit të shkollës së mesme të lartë, çmimi mesatar i një libri është 3.7 euro apo 44,40 euro për komplet të librave.  

Mirëpo, shpenzimet e prindërve nuk përfundojnë këtu sepse nxënësit duhet pajisur edhe me fletore, lapsa, ngjyra e pajisje tjera mësimore.

Për të mësuar këtë, Anadolu Agency ishte në librarinë më të vjetër ekzistuese, në qendër të Prishtinës, pranë katedrales Nënë Tereza. Aty nga shitësja kemi mësuar se çmimi i fletoreve të formatit A5 (fletoret e vogla) qoftë me vija, katrore apo të zbrazëta, fillonte nga 0,20 deri 0,70 euro. Për fletoret e mëdha të formatit A4, çmimet sillen nga 0,50 deri 1,30 euro.

Shitësja në këtë shitore na tregoi se, mesatarja e shpenzimeve për pajisje me fletore dhe lapsa për klasën e parë të shkollës fillore sillet nga 8 deri në 10 euro. Kjo ndryshon me klasë të shkollës dhe shtimi i lëndëve për shkollarët.

Për shembull, ajo na tregoi se për klasën e 5-të shpenzohen mesatarisht 15 euro për një nxënës, ndërsa për klasën e 10-të deri në atë të 12-të, shuma rritet në rreth 20 euro.  

Në fund, çmimi i çantave në këtë librari sillej nga 5 deri në 17 euro, për çanta të fëmijëve të shkollës fillore.

Megjithatë, shitësja tregon se në dyqane të tjera, ekzistojnë edhe çanta më të shtrenjta dhe më speciale, sikurse janë ato anatomike apo çantat –valixhe me tërheqje , që kushtojnë disa herë më shtrenjtë se këto të thjeshtat.  

Numri i nxënësve në arsimin fillor sivjet pritet të jetë rreth 150 mijë, në arsimin e mesëm të ulët rreth 140 mijë dhe rreth 100 mijë në atë të mesëm të lartë.

-Në Shqipëri çmimet e teksteve te reja vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas disa kritereve-

Në bazë të urdhrit të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, viti shkollor në arsimi bazë (9 vjeçar) fillon më 14 shtator 2015 dhe mbaron më 10 qershor 2016, ndërsa në arsimin e mesëm viti shkollor fillon më 14 shtator 2015 dhe mbaron më 17 qershor 2016.

Ndërkohë çmimet e të gjithë teksteve te reja, të cilat i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2015-2016, propozohen nga subjektet dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas disa kritereve

Nga përllogaritjet e bëra rezulton se prindërit për të dërguar në shkollë një fëmijë që ditën e parë duhet të harxhojnë rreth 108 euro, pra për një fëmijë që shkon në klasë të parë, ku përfshihet librat, çanta, rrobat, dhe pajisje të tjera të domosdoshme për vitin shkollor.  Por më pas kjo kosto ndryshon në varësi të shkollës që ndiqet (private apo shtetërore) si dhe harxhimit ditor apo mujor që ka secili nxënës.

Ndërkohë shitja e teksteve shkollore akoma nuk ka filluar zyrtarisht në Shqipëri, dhe pritet të fillojë javën tjetër.

Çmimet e librave pritet të kenë çmimet nga 1.5 euro deri në 10 euro, ndërsa çmimet me të larta kanë librat e gjuhëve të huaja. Këtë vit ka një rritje prej 10 përqind për tekstet shkollore të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm.

- Prindërit në Maqedoni për fillimin e vitit shkollor duhet të ndajnë së paku një të tretën e rrogës-

Qytetarët e Maqedonisë, të cilët fëmijët e tyre i regjistrojnë në klasë të parë, për pajisje shkollore dhe veshmbathje, duhet të ndajnë së paku një të tretën e rrogës së tyre mujore. Rroga mesatare mujore në Republikën e Maqedonisë, sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, për muajin maj arrin 22.071 denarë, rreth 360 euro, që do të thotë se një prind për fillimin e vitit shkollor duhet të ndajë rreth 120 euro, raporton AA.

Librat janë një nga shpenzimet kryesore për shkollën, por në Maqedoni ato janë falas për shkollimin fillor dhe të mesëm, sepse i siguron Ministria e Arsimit të Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, prindërit doemos duhet t'ju sigurojnë fëmijëve pajisje shkollore, ku bëjnë pjesë fletoret, lapsat, stilolapsat, goma, bllok vizatimi dhe gjëra tjera të nevojshme për shkollën.

Sipas deklarimeve të shitësve në librari dhe prindërve të cilët blejnë pajisjet shkollore, mesatarisht një komplet fletore kushton rreth 120 denarë, një stilolaps mesatarisht kushton rreth 15 denarë, një bllok vizatimi 60 denarë (rreth 1 euro), pajisja për gjeometri rreth 200 denarë (3.26 euro). Përveç tyre, prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve edhe çantë shkolle që kushton rreth 900 denarë (15 euro) atlete që mesatarisht kushtojnë 1000 denarë (16.5 euro) xhinse, ku çmimi i tyre mesatar është 1000 denarë, këmishë që kushton 500 denarë (rreth 8 euro), xhaketë për fëmijë, mesatarisht kushton 1500 denarë (25 euro).

Por kjo nuk është e tëra, tregojnë prindërit, gjithmonë ka edhe shpenzime shtesë. Si për arsimin fillor ashtu edhe për atë të mesëm librat dhe rruga sigurohet nga ana e Ministrisë së Arsimit, që për prindërit e fëmijëve të cilët ndjekin arsimin e mesëm paraqet lehtësim. Prindërit tregojnë se një pjesë bukur e mirë e shpenzimeve shkon edhe në dhënien e një buxheti ditor për fëmijët, që në ditë kushton minimum 1.5 euro, rreth 100 denarë. Megjithatë, sipas fjalëve të prindërve të gjimnazistëve, për një fëmijë doemos duhet të ndajnë së paku një të tretën e rrogës mesatare në Maqedoni (120 euro).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın