Qyteti turk, Bursa zgjohet për syfyr më këngë popullore ballkanase
Të veshur më veshjet folklorike shqiptare grupi i të rinjve shëtiti rrugët e lagjes Selamet duke kënduar këngë popullore folklorike të vendeve të ndryshme ballkanike dhe duke i rënë klarinetës, defit, daulles etj.

BURSA (AA) - Të rinjtë e Qendrës Profesionale të Folklorit (BURFEM) në qytetin turk Bursa kanë zgjedhur një metodë pak ndryshe për të zgjuar banorët e një lagjeje në këtë qytet për syfyr, ushqim që hahet për fillim e ditës së agjërimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Të veshur më veshjet folklorike shqiptare grupi i të rinjve shëtiti rrugët e lagjes Selamet pranë minibashkisë Osmangazi duke kënduar këngë popullore folklorike të vendeve të ndryshme ballkanike dhe duke i rënë klarinetës, defit, daulles etj.
Ndërkohë të rinjve që zgjonin banorët e kësaj lagjeje janë përballur me surprizat e banorëve të cilët i qerasnin ata me byrek tradicional apo edhe ëmbëlsira të cilat i kishin përgatitur për syfyrin e radhës.
Nga ana tjetër kryetari i Federatës të Shoqatave të Rumelisë në Bursa (RUDEF), Adem Serbest tha për gazetarët se ky është viti i katërt i organizimit të një evenimenti të tillë.
Adem thotë se organizimi në fjalë i ka kaluar kufijtë e qytetit dhe njihet në të gjithë Turqinë. Madje shprehet se kanë marrë shumë përshtypje të mira edhe nga vendet e Ballkanit. Ai shpjegon për gazetarët se për të mos shqetësuar popullatën këtë eveniment e organizojnë në fundjavë.
Serbest tha gjithashtu se janë duke bërë përgatitjet për organizimin edhe të një evenimenti shumë të madh për muajin e Ramazanit. "Tashmë është kthyer në traditë. Banorët sapo vjen muaji i Ramazanit pyesin se kur do të bëjmë programin. Jemi shumë të lumtur për këtë" u shpreh Serbest në vazhdim të fjalës së tij.
Ndërkohë të rinjtë e grupit folklorik pasi bënë xhiron e lagjes në fjalë nuk nguruan të hanë syfyrin me byrekët dhe ëmbëlsirat tradicionale ballkanase të cilat ia kishin dhënë banorët.