Presidenti Erdogan përshëndet përparimin e sirianëve, zotohet për mbështetje të vazhdueshme për unitetin e Sirisë
Erdogan vlerëson përparimet e bëra nga sirianët "pavarësisht vështirësive dhe provokimeve", ndërsa përsëriti angazhimin e Ankarasë për të ruajtur integritetin territorial të Sirisë
Stamboll
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi progresin e bërë nga sirianët gjatë vitit të kaluar "pavarësisht të gjitha vështirësive, përpjekjeve për sabotim dhe provokimeve", transmeton Anadolu.
Në një postim të ndarë në platformën turke të medias sociale NSosyal, Erdogan uroi përvjetorin e parë të revolucionit të 8 dhjetorit, për të cilin tha se çliroi sirianët pas viteve të tëra tiranie, sakrificash të pafundme, vuajtjesh të thella dhe vështirësish të panumërta.
Ai theksoi më tej se përkujton me mëshirë ata që u martirizuan në sulmet e ish-regjimit dhe grupeve terroriste, duke shtuar: "Në Ditën e Lirisë së Sirisë më 8 dhjetor, i shpreh përshëndetjet dhe dashurinë e përzemërt të Turqisë popullit vëllazëror sirian".
Presidenti turk theksoi gjithashtu se Turqia "do të vazhdojë të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme për të mbrojtur integritetin territorial të Sirisë, për të ndihmuar në vendosjen e paqes sociale midis të gjitha segmenteve brenda vendit dhe për të siguruar që ajo të dallohet si një qendër paqeje dhe stabiliteti në rajonin e saj".
Bashar al-Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Administrata e re kalimtare e presidentit Ahmed al-Sharaa u formua në janar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
