Kosova në pritje të pranimit në FIBA
Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu për Anadolu Agency thotë se aplikimi është dorëzuar më 5 shkurt, gjatë vizitës së delegacionit të FBK-së në FIBA dhe se pritet përgjigja pozitive.

PRISHTINË (AA) - Një nga pikat e rendit të ditës të mbledhjes dyditore të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) e cila ka filluar dje, është edhe shqyrtimi i aplikimit për pranim të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) si anëtare e kësaj organizate. Në Kosovë, kjo punë konsiderohet si e përfunduar.
Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu për Anadolu Agency thotë se aplikimi është dorëzuar më 5 shkurt, gjatë vizitës së delegacionit të FBK-së në FIBA dhe se pritet përgjigja pozitive. “Gjatë vizitës në FIBA na ka pritur sekretari i përgjithshëm Patrik Bauman dhe kryetari i FIBA Evropës dhe nënkryetari i FIBA Botës, Turgaj Demirel dhe disa zyrtarë të tjerë të sekretariatit të FIBA-së dhe FIBA Evropës. Ne presim që të marrim lajm pozitiv nga FIBA sepse edhe gjatë takimi, së bashku kemi konstatuar se më nuk ekziston asnjë arsye që të refuzohet aplikacioni i FBK-së, posaçërisht nëse kemi parasysh se Komiteti Olimpik i Kosovës është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe ne definitivisht i plotësojmë të gjitha kushtet që federata e jonë, në bazë të statutit të FIBA-së, të bëhet anëtarja e 215 me të drejta të plota të kësaj organizate botërore të basketbollit” thotë Belegu.
Kundërshtuesi më i madh i pranimit të FBK-së në FIBA ka qenë Serbia, për shkak të arsyeve politike, sepse Kosovën e konsideron pjesë të territorit të saj. Megjithatë, të gjitha dilemat rreth anëtarësimit të Kosovës janë hequr, thotë Belegu, pas deklaratës të cilën e kishte dhënë muajin e kaluar kryetari i nderit i FIBA-së, Borislav (Bora) Stankoviq, duke thënë se lufta është humbur dhe Serbia tash duhet të merret me punë tjera dhe jo me pengimin e pranimit të Kosovës në FIBA.
“Sinqerisht, mendoj se zyrtarët e federatës serbe nuk kanë pasur asgjë personalisht kundër nesh mirëpo kjo ka qenë e lidhur me politikën e cila po bëhet në të dyja shtetet, prandaj pres që në të ardhmen të kemi edhe ndonjë përkrahje nga ata, pse jo, konkretisht mendoj në aplikimin dhe pranimin tonë. Ata nuk kanë të drejtë vote sepse bëhet fjalë për procedurat të cilat duhet të përmbushen sipas kërkesave të statutit të FIBA-së dhe jo sipas kërkesave të ndonjë federate të caktuar” shpjegon Belegu.
Fakti që pengesat politike duhet të tejkalohen, është konstatuar qysh para shtatë vitesh kur zyrtarët e FBK-së kishin qenë në vizitën e parë zyrtare në FIBA dhe kur dy drejtorët sportiv të FIBA-së dhe FIBA Evropës kishin vizituar Kosovën.
“Ndërkohë, ne e kemi dorëzuar aplikimin ku kemi treguar se çfarë organizimi kemi përbrenda federatës, se motivet tona janë në përputhje me ato të FIBA-së. Po ashtu, kemi dorëzuar edhe letrën në të cilën thuhej se, nëse ndërkohë konstatohet se nuk është në përputhje me FIBA-në, rregullat e FIBA-së do të mbizotërojnë” thekson Erolld Belegu.
Klubet e basketbollit kosovar, Sigal Prishtina dhe Peja, prej dy vitesh garojnë në Ligën Ballkanike, ligë rajonale e basketbollit e cila tubon klubet nga Bullgaria, Maqedonia, Rumania, Mali i Zi, Kosova dhe nga sivjet edhe Shqipëria, ndërsa vitin e kaluar kishte skuadrën edhe nga Izraeli. Belegu thekson se kjo pjesëmarrje nuk do të ishte e mundur pa pëlqimin e FIBA-së.
“Dua të theksoj se, edhe pse nuk kemi qenë anëtare e FIBA-së, me vite kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me ata, në veçanti në aspektin e organizimit të seminareve për trajnerë, referë dhe po ashtu, shumë me rëndësi ka qenë edhe flet-lëshimi për kalimin e lojtarëve nga një shtet në shtetin tjetër” thotë Belegu.
Sipas tij, Kosova tashmë është inkuadruar në shortin e kualifikimeve për kampionatin evropian për të rinj të moshës deri 20 vjeçare, gjatë kësaj vere ndërsa pritet të inkuadrohet edhe në kualifikimet për Eurobasketin 2017, të cilat fillojnë në vjeshtë, së paku për ekipin e meshkujve.
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e ka ndihmuar financiarisht Federatën e Basketbollit të Kosovës , sikurse edhe një numër i madh i sponsorëve, pa të cilët nuk do të mund të funksiononin ligat e basketbollit në Kosovë.
Belegu pret ndihmën e tyre edhe tash kur Kosova të bëhet anëtare e FIBA-së, që me vete sjell edhe përgjegjësi të reja dhe pjesëmarrjen e ekipeve përfaqësuese të Kosovës garat ndërkombëtare.
Ai thekson se, pikërisht kjo pjesëmarrje në gara ndërkombëtare do ta tregoj gjendjen aktuale dhe reale të basketbolli kosovar, përkundër faktit se jemi të vetëdijshëm se nuk është investuar me vite dhe do të jetë i domosdoshëm rindërtimi i plotë. Belegu shton se , shpresat janë tek gjeneratat e reja 15-16 vjeçe, të cilat pas katër pesë viteve do të mund t’i bënin ballë shumicës së reprezentacioneve evropiane.
“Nga 17 marsi do ta kemi krye-trajnerin amerikan, detyra e të cilit do të jetë të bëjë planin e zhvillimit të basketbollit për të rinj, për gjeneratat e reja. Ai njëkohësisht do të jetë edhe koordinator për grupmoshat e reja dhe selektor i kadetëve të Kosovës, deri në moshën 16 vjeçare” thotë njeriu i parë i basketbollit kosovar.
Erolld Belegu thekson se, është mirë e njohur që basketbolli është sport i cili pas luftës në Kosovë ka sjell shumë lojtarë dhe trajnerë të huaj, posaçërisht nga shtetet e rajonit dhe kjo ka ndikuar në ngritjen e popullaritetit të basketbollit por njëkohësisht është investuar shumë pak në lojtarët e rinj vendor dhe kjo duhet të ndryshojë.
Në pyetjen se kur mund të pritet ndeshja ndërmjet të reprezentacionit të Kosovës dhe Serbisë, Belegu u përgjigj se kjo nuk do të ndodh së shpejti dhe se FIBA, në një mënyrë do të kontrollojë shortin sepse ende nuk janë pjekur kushtet për këtë takim. Ai thekson se Kosovës do t’i duhen me vite të tëra për të arritur në grupin A në të cilin garon Serbia, në të gjitha kategoritë dhe grupmoshat, në mënyrë që të ketë mundësi të vijë deri te përballja e dy reprezentacioneve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.