
TIRANË (AA) - Stadiumi më i ri në Shqipëri, “Elbasan Arena” është inauguruar mbrëmë me një ceremoni të veçantë, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Presidenti i FSHF-së Armando Duka dhe personalitete të tjera të sportit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri së bashku me zyrtarë të tjerë u përshëndetën me futbollistët e kombëtares dhe trajnerin e ekipit kombëtar, Giani De Biazzi, me të cilët biseduan gjatë lidhur me stadiumin e sapopërfunduar dhe angazhimin e Qeverisë për investime të mëtejshme në futboll dhe sportin në tërësi.
“Jam shumë i lumtur që arritëm ta përfundojmë këtë investim dhe t’i japim formën e duhur, sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s për stadiumin. Në fakt, në një kohë të ngushtë, rrezikonim të luanim jashtë Shqipërisë ndeshjet. Ju e dini më mirë dhe për këtë arsye, unë do t’ju kërkoja me shumë përulje një duartrokitje për Trebickën, ish-lojtar i Kombëtares së Basketbollit dhe ishte në krye të këtij investimi këtu, me kompaninë e vet, për të bërë “Elbasan Arena”. Ne do të bëjmë çmos që të mbështesim sa më shumë dhe me sa më shumë cilësi futbollin”- deklaroi Rama në fjalën e tij përshëndetëse.
Duke i uruar sukses për ndeshjen me Danimarkën, më 11 tetor, Kryeministri solli në vëmendje ndeshjen me Portugalinë. “Sikur thjeshtë dhe vetëm ajo betejë që u bë me Portugalinë të bëhej edhe këtu, cilido që të ishte rezultati, ju të gjithë do ishit dhe do jeni të nderuar. Më mirë të shkojmë me këmbë në tokë, të japim shpirtin në fushë dhe pastaj rezultati të vijë nga fusha. Edhe njëherë çdo të mirë dhe sukses për ndeshjen” – tha Kryeministri.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana e falënderoi Kryeministrin për vlerësimet dhe siguroi se ekipi mundohet që të nderojë kombin sa herë që ndodhet në fushë. “Mundohemi që ta nderojmë çdo herë kur jemi në fushë. Shpresojmë për një fitore dhe një të ardhme të ndritur për sportin shqiptar” – tha Cana.
Me rastin e inaugurimit të stadiumit u zhvillua edhe një ndeshje miqësore mes ekipit kombëtar dhe U-19 të Elbasanit. Stadiumi “Elbasan Arena” ka një kapacitet rreth 12 mijë vendesh dhe rikonstruksioni i tij, një ndërtimi i tij me vlerë 5.5 milionë euro, është një investim i përbashkët i Qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.