FBK festoi pranimin në FIBA
Në këtë ceremoni, përmes një dokumentari të shkurtër u kujtua rrugëtimi 70 vjeçar i basketbollit kosovar

PRISHTINË (AA) – Me manifestimin solemn të organizuar në Prishtinë, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka festuar pranimin në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), si anëtare e 215-të, raporton Anadolu Agency.
Manifestimi u mbajt në një atmosferë të bukur dhe festive, në prezencë të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe diplomatëve të akredituar në Kosovë, si dhe të gjitha gjeneratave të basketbollit kosovar, duke filluar nga ajo e para e përfaqësuar nga profesor Arsim Fehmiu (83) dhe Mustafa Shahini (83) që e filluan rrugëtimin e gjatë 70 vjeçar të basketbollit kosovar drejtë familjes botërore të basketbollit, ndërsa mysafirë nderi në këtë ceremoni festive ishin përfaqësuesit e lartë të FIBA-së, Kamil Novak drejtor i FIBA Evropës dhe Lubomir Kotleba, drejtor sportiv i FIBA Botës, si dhe shumë delegacione të federatave kombëtare të basketbollit të shteteve evropiane, ndër to edhe delegacioni i Federatës Turke të Basketbollit i përfaqësuar nga Emir Turam, anëtari i Bordit dhe menaxher për marrëdhënie me jashtë i kësaj federate.
Në këtë ceremoni, përmes një dokumentari të shkurtër u kujtua rrugëtimi 70 vjeçar i basketbollit kosovar, nga sjellja e topit të parë të basketbollit nga ana e profesor Hajrullah Morinës në verë të vitit 1943, nëpër të gjitha etapat e zhvillimit, gjatë kohës së ish Jugosllavisë prej vitit 1946 deri më1991, pastaj gjatë kohës së okupimit serb të Kosovës (1991 – 1999) dhe pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, deri në momentin e pranimit zyrtarë të FBK-së në FIBA, me 13 mars 2015.
“Komiteti Ekzekutiv i FIBA-së, i grumbulluar me 13 mars të vitit 2015, në Zvicër vendosi me vota unanime, pranimin e aplikacionit të Federatës s Basketbollit të Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në familjen e madhe botërore” tha në hapje të kësaj ceremonie, kryetari i FBK-së, Eroll Belegu duke thekuar se kështu FBK u bë anëtarja e 215-të në vitin 2015.
Ai me këtë rast, falënderoi të gjitha ata që për 70 vite rresht kanë punuar në zhvillimin e këtij sporti, në veçanti duke përmendur ata të cilët gjatë viteve të 90’ta, gjatë kohës së okupimit serb të Kosovës, punuan në mbajtjen gjallë të basketbollit, si dhe të gjithë ata që, pas vitit 1999, kontribuuan në ngritjen e këtij sporti në sportin më të popullarizuar në vend.
Krejt në fund, një falënderim special shkoi për kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin dhe ish ministrin e Sportit, tash ministrin e bujqësisë të Kosovës, Memli Krasniqin, të cilët punuan dhe kontribuuan shumë që Komiteti Olimpik i Kosovës të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), çelës ky i cili i hapi dyert e hekurta të izolimit të basketbollit kosovar, të gjatë një çerek shekulli dhe mundësoi që FIBA ta pranoi FBK-në në gjirin e vet.
Në emër të FIBA Evropës, basketbollin kosovar e uroi vet njeriu i parë i kësaj organizate, Kamil Novak duke falënderuar FBK-në për këtë pritje të ngrohtë si dhe punën e madhe që ajo së bashku me KOK-un e ka bërë deri tash.
“Ka qenë rrugë e gjatë për tu bërë pjesë e familjes së FIBA-së, për t’u bërë anëtari i 52-të i FIBA Evropës dhe anëtari i 215-të i FIBA-së” tha drejtori i FIBA Evropës, Kamil Novak dhe shtoi se, tashmë Kosova është përfshirë në kalendarin e garave evropiane të kombëtareve, me përfaqësueset nën 20 vjeçare (U–20) në divizionin B dhe nën 16 vjeçare (U -16) në divizionin C.
“Sidoqoftë, ky është vetëm fillimi i një rruge tjetër të gjatë, të punës së përditshme jo vetëm me FIBA-në por edhe me FIBA-në. Jo është një rrugë e gjatë për të ndërtuar aktivitetet bazë në shtet dhe ne shpresojmë që, në të ardhmen, do të jenë më shumë se dy ekipe pjesëmarrëse në kampionatet e FIBA Evropës” tha Novak.
Ai po ashtu rikujtoi faktin se, Kosova tash e tutje do të inkuadrohet jo vetëm në kampionatet evropiane për kombëtare por edhe në garat evropiane për klube. Prandaj, Novak ftoi basketbollin kosovar, të gjitha niveleve që të filloj përgatitjen për pjesëmarrjen në këto gara.
Përkrahja e zyrtarëve të FIBA-së, atyre të pranishëm në këtë ngjarje, ishte shumë e madhe, mirëpo një mirënjohje e veçantë iu dha Lubomir Kotlebës, drejtorit sportiv të FIBA Botës dhe përfaqësuesit special të Sekretarit Gjeneral të FIBA-së, për Kosovën, për të cilin ishte kjo hera e tretë që e viziton këtë vend.
Herën e parë, Kotleba ishte në Kosovë në vitin 2008, me ç’rast kishte inspektuar gjendjen e basketbollit kosovar dhe në atë kohë kishte deklaruar se “në aspektin sportiv, Kosova është e gatshme të luaj dhe të bëhet pjesë e FIBA-së, mirëpo sporti ështe pjesë e shoqërisë dhe shoqëria udhëhiqet nga politika. Andaj, sporti nuk jeton në vakum...” , duke aluduar se pranimi i FBK-së në FIBA do të bëhet vetëm atëherë kur rrethanat politike të jenë të përshtatme.
7 vite më vonë, Kotleba vizitoi Kosovën “për herë të tretë, të vërtet”, për t’iu uruar kosovarëve pranimin në familjen evropiane dhe botërore të basketbollit.
Në mesazhin e tij për basketbollin kosovar, Kotleba tha se Kosova dikur ka qenë pjesë e shkollës së suksesshme të basketbollit jugosllav i cili ka arritur majet evropiane dhe botërore dhe se ka predispozita të mira për t’u shëndërruar në një basketboll kualitativ dhe pse jo, të jetë pjesë e kampionateve botërore.
“Për 10-15 vjet, kujtoni mesazhin tim të sotëm dhe për gjithë këtë, unë ju dëshiroj shumë fat dhe të gjithëve që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ju faleminderit” tha Kotleba i cili u ndërpre nga duartrokitjet e shumta, ndërsa në fund e përmbylli me humor fjalimin e tij, duke thënë se “jam i lumtur që më nuk jam përfaqësues special i FIBA-së për Kosovën”.
Me këtë, Kotleba bëri me dije se, pritjes 70 vjeçare të basketbollit kosovar i ka ardhur fundi dhe se, FBK tashmë është pjesë e FIBA.
Më herët gjatë ditës, Novak dhe Kotleba, kishin një agjendë të ngjeshur dhe përveç takimeve me Bordin e FBK-së, ata u pritën edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Ndërkohë, në mbrëmje është paraparë që zyrtarët e lartë të FIBA-së, së bashku me të gjithë mysafirët, anëtart e delegacioneve të federatave kombëtare të basketbollit evropian, të përcjellin ndeshjen gjysmëfinale të Ligës Ballkanike, Sigal Prishtina – Kozhuv.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.