Migrena dhe dhimbjet e kokës përbëjnë sfidë globale për shëndetin publik
Stresi, sjellja sedentare, konsumi i alkoolit dhe kafeinës si dhe gjumi me cilësi të dobët vazhdojnë të nxisin prevalencën e dhimbjeve të kokës, sipas një studimi
Istanbul
Migrena dhe dhimbjet e kokës mbeten ndër çrregullimet më të zakonshme dhe që shkaktojnë paaftësi në botë, duke prekur mbi një të tretën e popullsisë globale dhe duke kërkuar njohje shumë më të madhe në politikat e shëndetit publik, transmeton Anadolu.
Hulumtimi i udhëhequr nga ekspertë të neurologjisë nga Universiteti "La Trobe" dhe "Western Health" dhe i botuar në "Cell Reports Medicine", analizoi të dhënat nga Studimi global i barrës së sëmundjeve, lëndimeve dhe faktorëve të rrezikut (GBD) që mbulon 204 vende dhe territore midis viteve 1990 dhe 2021.
Ai zbulon se 2.8 miliardë njerëz në të gjithë botën jetojnë me çrregullime të dhimbjeve të kokës, duke i bërë ato një shkak kryesor të viteve të jetuara me paaftësi (YLD). Sipas studimit, stilet moderne të jetesës të karakterizuara nga stresi, sjellja sedentare, konsumi i alkoolit dhe kafeinës dhe gjumi me cilësi të dobët vazhdojnë të nxisin prevalencën e dhimbjeve të kokës.
Pandemia e COVID-19 solli gjithashtu sfida të reja, me pacientët që raportojnë dhimbje koke akute ose kronike pas infeksionit SARS-CoV-2 ose vaksinimit.
"Këto probleme të reja të dhimbjes së kokës, të kombinuara me rritjen e stresit psikologjik, aksesin e ndërprerë në kujdesin shëndetësor dhe faktorët socialë, mund ta kenë komplikuar më tej një çështje tashmë urgjente të shëndetit publik", thuhet në raport.
Studimi tregon se gratë e moshës 30-44 vjeç dhe personat që jetojnë në vende me të ardhura më të larta preken në mënyrë disproporcionale. Ndërsa migrena ndodh më rrallë se dhimbjet e kokës të tipit tension, ato janë dukshëm më invalidizuese, thonë studiuesit.
Autori kryesor, prof. Tissa Wijeratne tha se pavarësisht përparimeve në diagnostikim dhe trajtim, prevalenca globale e çrregullimeve të dhimbjes së kokës nuk ka gjasa të bie për shkak të faktorëve të vazhdueshëm të rrezikut dhe aksesit të kufizuar në kujdesin profesional.
"Përdorimi i kufizuar i kujdesit shëndetësor profesional dhe mbështetja e tepërt në trajtimet pa recetë vazhdojnë të pengojnë progresin", tha Wijeratne duke bërë thirrje për ndërhyrje të përshtatura dhe më shumë fonde për kujdesin shëndetësor.
"Ky studim thekson nevojën urgjente për t'i dhënë përparësi çrregullimeve të dhimbjes së kokës në axhendat globale të shëndetit", përfundon raporti.
