Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë Beqaj: “Shëndet për të gjithë, një objektiv i arritshëm”

TIRANË (AA) – Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën dhe UNDP organizuan në Tiranë sot Konferencën me temë: "Mbulimi Universal dhe Burimet Njerëzore në Sistemet e Kujdesit Shëndetësor”, raporton Anadolu Agency (AA)
“Shëndet për të gjithë, është një objektiv i arritshëm”, ishte mesazhi i kësaj konferencë, ku morën pjesë Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj, drejtues të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, deputetë, drejtues e përfaqësues të Zyrës së OBSH-së për Evropën, Bankës Botërore, OKB-së dhe UNDP-së, si dhe donatorë e partnerë të tjerë të sektorit të shëndetësisë në Shqipëri.
Kjo konferencë organizohet në mbështetje të thirrjes së një koalicioni global për të shënuar 12 dhjetorin si Dita Botërore e Mbulimit Universal Shëndetësor [“Health for All” – Universal Health Coverage Day].
Në fjalën e tij ministri Beqaj u shpreh se ky takim i është bashkuar 39 aktiviteteve të tjera simotra që janë duke u zhvilluar njëkohësisht sot në të gjithë Botën, nën moton: “Shëndet Për Të Gjithë”, nga një koalicion global aktorësh, organizatash e shtetesh.
“Janë rreth 900 mijë shqiptarë që janë të ftuar, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, i cili ofrohet pa pagesë për çdo qytetar, pavarësisht nëse është, apo jo, i siguruar për kujdes shëndetësor. Për këtë qëllim, përveç se në secilën prej 415 qendrave shëndetësore, kontrolli bazë do të ofrohet edhe me anë të 5 njësive të lëvizshme, të cilat do të jenë në dispozicion të qytetarëve që banojnë larg qendrës shëndetësore, dhe sidomos, për zonat e thella, ku ndryshe nga procedura e zakonshme, ku kushdo do të mund ta bëjë kontrollin bazë gjatë muajit të lindjes, kontrolli do të ofrohet në periudhën 1 maj – 30 shtator të çdo viti”- u shpreh ministri i Shënmdetësisë i Shqipërisë Ilir Beqaj.
Ndërsa, në mesazhin e saj drejtuar konferencës, Zsuzsanna Jakab, Drejtore e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën, thekson se “mbulimi shëndetësor universal është gur themeli i politikave shëndetësore dhe sociale të vendeve anëtare të Evropës,” dhe si i tillë, “mundëson dhënien e mbrojtjes financiare, parandalimin e varfërisë dhe forcimin e barazisë. Askush nuk ka pse të falimentojë kur sëmuret”.
“Sot, në ditën e parë të Mbulimit Universal në Shqipëri,” – tha më tej Jakab, “ju nisni një kapitull të rëndësishëm të shëndetit publik të vendit tuaj. Angazhimi i Shqipërisë për këtë është një zotim për barazi më të madhe në shëndetësi, dhe kjo meriton respektin dhe mbështetjen time të plotë”.
Nisma për shënimin e kësaj date si Dita Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal u shpall për herë të parë më 19 shtator 2014 në një takim në New York, SHBA, nga një grup, tashmë, prej 533 partnerësh nismëtarë nga 103 vende, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Bankën Botërore (BB). Dy vjet më parë, më 12 dhjetor, OKB-ja miratoi njëzëri një rezolutë, e cila i’u kërkon qeverive të shteteve anëtare sigurimin e qasjes universal të qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor pa pengesa ose kufizime financiare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.