
TIRANË (AA) –Sot në Shqipëri festohet 70 vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, ku institucionet e larta të shtetit shqiptar kanë organizuar disa ceremoni zyrtare për të nderuar dëshmorët e rënë për çlirimin e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Për këtë ditë të shënuar, është organizuar një ceremoni zyrtare në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë, ku drejtuesit e shtetit shqiptar, politikanë, veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, qytetarë, etj, kanë kryer homazhe në monumentin “Nënë Shqipëri”.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, ministra të kabinetit qeveritar, të cilët nderuan kujtimin dhe veprën e dëshmorë të Atdheut, të rënë për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Pas himnit kombëtar dhe nderimit të dëshmorëve, zyrtarët e lartë u takuan me vetaranët e luftës të pranishëm në këtë ceremoni. Ndërkohë asnjëri nga drejtuesit e shtetit të pranishëm në këtë ceremoni zyrtare nuk ka bërë asnjë deklaratë përveçse kryerjes së homazheve për të nderuar veprën e dëshmorëve të luftës. Ndërkohë Kryeministri Rama, me atë të një mesazhi të shkurtër në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka uruar shqiptarët për festën e çlirimit.
Politika shqiptare e nderon e ndarë këtë ditë. Partia Demokratike, dhe opozita aktuale e djathtë feston si datë të çlirimit të vendit 28 nëntorin, të njëjtën ditë që është edhe festa Kombëtare e Flamurit. Por zyrtarisht, legjislacioni shqiptar ka njohur si datë zyrtare të çlirimit të Shqipërisë, 29 nëntorin e vitit 1944, e cila njihet dhe festohet nga partitë e majta shqiptare. Kjo ngjarje e rëndësishme historike e popullit shqiptar është bërë shpesh objekt debatesh jo vetëm politike, por edhe mes studiuesish, historianësh, etj
Kujtojmë se 70 vjet më parë, më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë pas një lufte 5 vjeçare, ku prijëse e kësaj lufte ishte Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Ndërsa dje Shqipëria festoi edhe 102 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
@aa_albanian
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.