PRISHTINË (AA) - Sot në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar 25 vjetorin e themelimit të vet, me një ceremoni solemne, raporton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e mysafirëve prezent në kremtimin e 25 vjetorit të themelimit të LDK-së ishin presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, si dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, njëherësh kryetari i nderit i LDK-së dhe Nexhat Daci, ish- kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës dhe një ndër figurat e shquara të LDK-së i cili pas ndarjes nga partia e dikurshme, themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
Me këtë rast, kryetari i LDK-së dhe njëkohësisht kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se LDK ka kontribuar shumë për Kosovën, në këto 25 vite. “Sot Lidhja Demokratike e Kosovës, 25 vjetorin e themelimit të saj po e shënon për herë të parë pas lufte në krye të Qeverisjes së vendit, po e shënon si anëtare e familjes së madhe të partive popullore Evropiane, me grupin e saj parlamentar prej 32 deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me lidership në 9 komunat e Kosovës, e shtrirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe në diasporë, me Forumin e Gruas, me Formuni e Rinisë, me Këshillin e Ekspertëve dhe me Fondacionin Ibrahim Rugova” tha në hyrje të fjalës së tij, kryetari i LDK-së dhe kryeministri i Kosovës, Mustafa duke ia atribuuar këtë sukses të partisë të cilën, tashmë e udhëheq ai, lidhjeve të forta të LDK-së me anëtarësinë besnike të kësaj partie, me simpatizantët dhe votuesit e saj të përkushtuar dhe lidershipin i cili, gjithmonë e ka mbajt kursin shtet-formues të qendrës së djathtë dhe arriti të kapërcej sfida aspak të lehta në ndërtimin demokratik të vendit, gjatë këtyre 25viteve.
Në vazhdim, Mustafa foli për historinë e themelimit të LDK-së, një çerek shekulli më parë, duke e përmendur ish- kryetarin e kësaj partie dhe presidentin e parë të Kosovës, pas luftës, të ndjerin Ibrahim Rugova i cili së bashku me intelektualët dhe veprimtarët e shquar të kohës, morën iniciativën për themelimin e lëvizjes së parë anti-komuniste dhe pro-perëndimore, në këtë pjesë të Evropës Juglindore, në kohën kur popujt e shtypur të Evropës e ngritën zërin kundër shtypjes së gjatë disa dekada, të sistemeve komuniste dhe po kërkonin lirinë e fjalës, pluralizmin politik dhe hapjen ndaj botës demokratike perëndimore.
Mustafa theksoi se, LDK do të nderoi dhe do të përulet ndaj gjithë atyre të cilët në rrethana dhe kohë të ndryshme të shtet-formimit të Kosovës, kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj. “Dua të përmend këtu, në këtë datë jubilare të 25 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike, emrat e nderuar të LDK-së dhe të Kosovës, si akademik Fehmi Aganin, profesorët e Universitetit të Prishtinës, dr.Latif Berisha dhe dr.Bardhyl Çaushi, këshilltari për arsim i presidentit Rugova, dr.Xhavit Ahmeti, këshilltari për informim Xhemajl Mustafa, publicisti i paharruar Enver Maloku, deputetja dhe nënkryetarja e LDK-së Nekibe Kelmendi, deputeti dhe luftuari i lirisë, Smajl Hajdaraj, heroit e Kosovës, Salih Çekaj e Agim Ramadani, kolonel Ahemt Krasniqi e kolonel Tahir Zemaj...” kujtoi emërat e figurave të shquara të LDK-së dhe të Kosovës, kryeministri i venti, Mustafa
Në këtë ditë, më 23 dhjetor, para 25 vitesh u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, nisma për themelimin e së cilës parti doli nga shkrimtarët Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa.
Atëkohë, pas shumë bisedave dhe debatave, si koordinator i Këshillit nismëtar për themelimin e LDK-së u caktua Jusuf Buxhovi, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë. Kjo nismë u përkrah nga intelektual e asaj kohe si: Ibrahim Rugova, Ajri Begu, Basri Çapriqi dhe Ramiz Kelmendi të cilët pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e partisë.
Më pas, listës së nismëtarëve iu bashkuan edhe i ndjeri prof.dr.Fehmi Agani me akademikët dhe shkencëtarët si, Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Anton Çetta dhe Zekiria Cana. Kuvendi themelues u mbajt më 23 dhjetor 1989, në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi.
Në këtë Kuvend, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh dr. Ibrahim Rugova, sekretar- Jusuf Buxhovi, ndërsa anëtarë të Kryesisë: Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi dhe Mehmet Kraja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
             