Policia e Shtetit Shqiptar pjesë e një operacion ndërkombëtar antitrafik me 40 të arrestuar
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “ALBA NOSTRA 2”, i cili është zhvilluar në Itali si dhe në Gjermani, Belgjikë, Rumani dhe Shqipëri, policia shqiptare ka arrestuar dy shtetas, Albert Qafa 51 vjeç dhe Gani Doku, 48 vjeç.

TIRANË (AA) - Policia e Shtetit Shqiptar ka marrë pjesë në një operacion të gjerë antitrafik të shtrirë në disa shtete dhe në kuadër të të cilit janë arrestuar në total 40 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për mediat, Artur Beu, specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare në Policinë e Shtetit ka konfirmuar se sot në kuadër të operacionit ndërkombëtar “ALBA NOSTRA 2”, i cili është zhvilluar në Itali (qytetet Milano, Pavia, Macerata, Asti) si dhe në Gjermani, Belgjikë, Rumani dhe Shqipëri, policia shqiptare ka arrestuar dy shtetas, Albert Qafa 51 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Durrës dhe Gani Doku, 48 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Durrës.
Sipas, këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkobëtar nga Interpol Roma me datë 09.03.2015, sepse Gjykata e Pavias në Itali, ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale "Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni".
Si rezultat i bashkëpunimit midis strukturave të Policisë së Shtetit (Interpol Tirana dhe Sektorin Kundër Trafiqeve të Paligjshme) me Policinë Italiane, si dhe koordinimit me Drejtoritë e Policisë Qarqeve, Durrës, Elbasan dhe Lezhë është bërë arrestimi i këtyre shtetasve në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Durrës, si dhe shpallja në kërkim e një personi të tretë.
Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar janë arrestuar në total rreth 40 shtetas. Sipas autoriteteve italiane shtetasi Albert Qafa, arrestuar sot është një ndër anëtarët kryesorët të këtij rrjeti kriminal. Bëhet e ditur se ky operacioni vijon në bashkëpunim me policitë e vendeve partnere.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.