Policia e Shqipërisë: Deputeti u arrestua për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje
Nik Nikollaj, shef i Komisariatit të Policisë së Kurbinit tha se arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”

TIRANË (AA) - Policia e Shtetit Shqiptar ka reaguar zyrtarisht në lidhjen me ngjarjen e ndodhur në Laç, ku u plagosën shtatë persona dhe si pasojë u arrestua edhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Armando Prenga, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për mediat Nik Nikollaj, shef i Komisariatit të Policisë së Kurbinit tha se në vijim të njoftimeve të dhëna për ngjarjen e ndodhur në Kurbin, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, është arrestuar në kushtet e flagrancës deputeti Armando Prenga, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje.
Nikollaj më tej në fjalën e tij tha se arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.
Policia më parë kishte sqaruar se fillimisht Salla Operative e Komisariatit të Policisë Kurbin, mori njoftim për një konflikt të ndodhur në një lokal në Patok të Laçit, ku në komisariat është paraqitur shtetasi Gjok Cali, për të bërë kallëzim me pretendimin se është goditur nga shtetasi Armando Prenga (deputet i Kuvendit të Shqipërisë).
“Në momentin që ky shtetas po jepte kallëzimin në ambientet e Policisë, janë afruar përpara ambienteve te Policisë, në rrugën që të çon në komisariat, një grup shtetasish, palë në konflikt, në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga. Në debat e sipër ata janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. Policët që ndodheshin në komisariat kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin. Nga ky konflikt kanë mbetur të plagosur 7 persona”- thuhet në reagimin e policisë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të plagosur në këtë konflikt kanë mbetur shtetasit: Gazmir Jushi, 39 vjeç; Eduart Prenga, 36 vjeç; Tom Cali, 66 vjeç; Gjergj Cali; 55 vjeç; Gjok Cali, 51 vjeç; Nikoll Cali, 53 vjeç dhe Françesk Cali, 30 vjeç.
Këtyre shtetasve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në Spitalin e qytetit të Laçit dhe më pas janë dërguar në Qendrën Spitalore të Traumës Tiranë. Aktualisht sipas policisë të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.