
PRISHTINË (AA) - Gjykimi i Naser Kelmendit, qytetarit të Kosovës i cili ka edhe nënshtetësi të Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për një sërë veprash penale, ndër të tjera edhe për vrasje dhe krim të organizuar, ka filluar sot rreth orës 10:00, në Prishtinë, raporton Anadolu Agjency (AA).
Aktakuzën, të pandehurit, ia ka lexuar prokurori Andrew Hughes, ndërkohë kryetarja e trupit gjykues në këtë rast, Ana Adamska Gallant e ka pyetur Naser Kelmendin nëse e ka kuptuar akuzën. “Po e kuptova në tërësi!” – u përgjigj Kelmendi dhe shtoi “Unë në asnjë pikë të aktakuzës nuk e ndiej veten fajtor”
Më pas, duke pritur përkthimin e deklaratës së tij në gjuhën angleze dhe serbe, ai reagoi në përkthimin e gabueshëm të përkthyesit serb i cili deklaroi se “Kelmendi konsideron se është i pafajshëm në gjitha pikat”.
Vërejtja e tij kishte të bënte me termin “konsideron”. Kelmendi përmirësoi përkthyesin, duke thënë se, “nuk është shprehja ‘konsideron’ por ‘deklaron me plotë përgjegjësi’ se nuk është fajtorë dhe nuk ndihet fajtor.”
Pas këtij deklarimi, gjykatësja Adamska Gallant e pyeti nëse dëshiron të shton diçka tjetër, në çka Kelmendi tha “ Po! Unë kam me thënë edhe një gjë. E pres me padurim që Gjykata me e vërtetua pafajësinë time... kjo është e tëra”
Naser Kelmendi është arrestuar nga Policia e Kosovës, në maj 2013, në bazë të fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga organet qeveritare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nga atëherë gjendet në paraburgim, ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës (PSRK), në korrik 2014, e ka ngritur akuzën kundër Naser Kelmendit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ai akuzohet për disa vepra penale, duke përfshirë “ krimin e organizuar, udhëheqjen e grupit të krimit të organizuar dhe vrasjen e rëndë të Ramiz Delaliqit, në Sarajevë, në vitin 2007.” Përkundër kërkesës së qeverisë së Bosnjës dhe Hercegovinës për ekstradimin e Kelmendit, kjo nuk ka ndodhur sepse sipas ligjeve të Kosovës, një qytetarë i Kosovës nuk mund t’i ekstradohet asnjë shteti i cili nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për ekstradim.
Naser Kelmendi, më herët gjatë seancës së parë dëgjimore, kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat duke i cilësuar si të motivuara politikisht sepse ai ka qenë “sponsor i politikanëve të cilët më nuk janë në pushtet”. Fahrudin Radonçiq është politikani, emri i të cilit lidhet me Naser Kelmendin.
Prokuroria Speciale po ashtu ka cekur se, me 1 qershor 2012, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka identifikuar Naser Kelmendin si tregtar të narkotikëve, në përputhje me Ligjin për “bosët e huaj për tregti me narkotikë”, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë, Naser Kelmendi akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.