
SARAJEVË (AA) - Në operacionet e koordinuara, të udhëhequra nga ekipet e përbashkëta hetimore të policisë dhe prokurorëve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Francës, me urdhër të Prokurorisë të BeH, policët e SIPA-s këtë mëngjes kanë realizuar një operacion të madh të koduar "CD", kundër personave të dyshuar të krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim të punës, vjedhjes dhe lypjes në Francë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në operacionet e zhvilluara në disa qytete si në Zenicë, Vlasenicë, Jajce dhe Prijedor, u kapën disa persona dhe u kontrolluan disa ndërtesa dhe automjete të cilat ishin përdorur nga të dyshuarit.
Nga SIPA theksohet se janë arrestuar personat me inicialet E.S., D.H., T.H., L.H., N.D., B.T. dhe E. H. për shkak të dyshimit se kanë kryer vepër penale të krimit të organizuar në lidhje me veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim të punës.
"Personat e privuar nga liria, dyshohet se në një periudhë më të gjatë, nga 2012, kanë organizuar dërgimin e grave dhe fëmijëve të vegjël në Francë, ku me kërcënime, shantazhe, abuzim, grabitje dhe frikësim, i kanë detyruar për të kryer vjedhje dhe forma të tjera të krimit në rrugë në disa qytete në Francë", thuhet nga Prokuroria.
Në këtë mënyrë, të dyshuarit kanë realizuar fitime të paligjshme në vlerë prej më shumë se dy milionë euro, të cilat janë përdorur për qëllime personale dhe blerjen e pasurive të patundshme në Bosnjë dhe Hercegovinë. Të dyshuarit janë nën hetime për vepra penale të pastrimit të parave, falsifikimit të dokumenteve, kontrabandës me njerëz, abuzimit, mjeteve narkotike dhe veprave tjera penale.
Operacionet e koordinuara, filluan sot në mëngjes në orën gjashtë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Francë.
"Në këtë rast kanë punuar ekipet e përbashkëta hetimore të BeH dhe Francës, të përbërë prej 20 persona, nga policia dhe institucionet e prokurorisë së BeH dhe Francës, të cilët disa muaj kanë kryer punë të përbashkëta hetimore në territorin e dy vendeve, me qëllim të zbulimit formave komplekse dhe të rrezikshme shoqërore të krimit, të cilat kërcënojnë sigurinë e qytetarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Bashkimin Evropian", thuhet nga Prokuroria.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.