"Rusia dhe Turqia punojnë për të zbatuar marrëveshjen e Soçit"
Rusia do të bëjë pjesën e sajë dhe ne shpresojmë që partnerët tanë do të mbajnë fjalën, thotë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova

Moskë
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Rusia punon "në mënyrë aktive" me Turqinë për të zbatuar memorandumin mes dy shteteve për Sirinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media të mbajtur në Moskë, Zakharova u tha gazetarëve se Rusia do të bëjë pjesën e sajë për të zbatuar marrëveshjen.
"Ne besojmë se Rusia do të bëjë pjesën e sajë dhe ne shpresojmë që partnerët tanë do ta mbajnë fjalën. Ne po punojmë në mënyrë shumë aktive për këtë", tha Zakharova.
Më 1 nëntor, personeli ushtarak turk dhe rus ka nisur patrullime të përbashkëta në Sirinë veriore në kuadër të memorandumit të nënshkruar nga presidentët e dy shteteve më 23 tetor në qytetin Soçi të Rusisë.
Turqia pastroi disa pjesë të Sirisë veriore nga terroristët gjatë operacionit turk "Burimi i Paqes", i filluar më 9 tetor për të eleminuar terroristët nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat me qëllim të sigurimit të kufijve të Turqisë, ofrimin e ndihmës për kthim të sigurt të refugjatëve sirianë dhe sigurimin e integritetit territorial të Sirisë.
Ankaraja dëshiron të pastrojë Sirinë veriore në lindje të Eufratit nga terroristët e PKK-së dhe zgjatimin e saj sirian PYD/YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE-ja, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.
Irani dhe JCPOA
Duke theksuar se Irani shumë herë ka dëshmuar se është "luftëtar i përgjegjshëm kundër terrorizmit", Zakharova dënoi "përpjekjet amerikane për të demonizuar Iranin" dhe për ta paraqitur vendin "si një kërcënim terrorist".
Zakharova akuzoi mediat perëndimore për mbulimin e pezullimit të Iranit për respektimin e pjesëve të marrëveshjes bërthamore të Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPOA), ndëkohë duke neglizhuar të përmendin faktin se veprimet e vendit ishin reciproke dhe të motivuara nga pamundësia e palëve evropiane të JCPOA-së për të zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes.
"Kursi i zbatuar nga SHBA për t'u përballur me Iranin është shkatërrues dhe thjesht shkurtpamës. Pa pjesëmarrjen e Teheranit, ndërtimi i një arkitekture të qëndrueshme të sigurisë rajonale në Lindjen e Mesme është e pamundur, si dhe stabilizimi i situatës në Siri, Irak dhe Afganistan", tha ajo.
Irani filloi të zvogëlojë angazhimet e tij në bazë të marrëveshjes së vitit 2015 në një vendim hakmarrës pas vendimit të njëanshëm të SHBA-ve për t'u tërhequr nga marrëveshja dhe dështimi i BE-së për të përmbushur angazhimet e saja.
Sipas televizionit shtetëror, Irani të mërkurën filloi injektimin e gazit në centrifugat në objektin e tij bërthamor nëntokësor Fordow, në prani të inspektorëve të organizatës së OKB-së për energji nukleare, IAEA, në hapin e katërt të pezullimit të angazhimeve.
Marrëveshja bërthamore e Iranit u nënshkrua në vitin 2015 midis Iranit dhe Rusisë, Kinës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve, si dhe Gjermanisë.
Megjithatë, vitin e kaluar presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja dhe shtoi presionin ndaj Teheranit duke ri-imponuar sanksione që synonin sektorin e energjisë dhe bankave të vendit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.