Shqipëri, ekspozitë për 40-vjetorin e hapjes së Muzeut Historik Kombëtar
Ekspozita përmban fotografi dhe dokumente të aspekteve nga puna për ndërtimin e muzeut, fotografi të protagonistëve në projektimin e tij dhe të përmbajtjes së pavijoneve të muzeut

Tiranë
Në kuadër të 40-vjetorit të inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, në Tiranë është hapur nga ky institucion ekspozita me temë "Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar", ndërsa organizohen edhe aktivitete të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Si pjesë e aktiviteteve për këtë përvjetor organizohet edhe konferenca dyditore shkencore ndërkombëtare me temë: "Muzetë përtërijnë të ardhmen", me pjesëmarrjen e muzeologëve dhe studiuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, gjatë fjalës në aktivitetin e hapjes së ekspozitës dhe konferencës tha se muzetë janë institucione të kujtesës.
Ajo theksoi se sot nuk festojnë thjesht një përvjetor, por festojnë mundësinë dhe rëndësinë për të bashkuar në vizionin e tyre lidhjen e të rinjve me muzetë.
"Muzetë janë institucione kujtese, janë në një farë mënyre si libra të hapur për të gjithë ne dhe janë këtu për të na treguar atë se çfarë ne jemi. Sfida jonë dhe mendoj e të gjithë muzeve është që t’i bashkojmë dhe afrojmë të rinjtë si profesionistët e të ardhmes", u shpreh Margariti.
Ministrja Margariti theksoi se kanë ngritur edhe disa muze të rinj dhe se po punojnë për ngritjen e muzeve të tjerë.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se institucioni që ai drejton organizon aktivitetet në fjalë me synim për të krijuar rrjetin muzeor në Shqipëri.
"Mendoj se ka ardhur momenti i përshtatshëm për të promovuar një rrjet muzeal që do të shërbejë si rregullator i gjithë muzeologjisë shqiptare nën Ministrinë e Kulturës", u shpreh Koçi.
Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur disa ditë përmban fotografi dhe dokumente të aspekteve nga puna për ndërtimin e muzeut, fotografi të protagonistëve në projektimin e tij dhe të përmbajtjes së pavijoneve të muzeut.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është muzeu më i madh në Shqipëri, i cili në mjediset e tij ka mijëra objekte, dokumente dhe sende të periudhave të ndryshme historike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.