Kulturë, jeta, BALLKANI

Qyteza e Kratovës në Maqedoninë e Veriut i çon vizitorët në një udhëtim në të kaluarën me urat historike

Qyteza, e cila thuhet se ka pasur 17 ura dhe 12 kulla në të kaluarën, sot i çon vizitorët në një udhëtim në të kaluarën me 6 urat dhe 6 kullat që kanë arritur deri në ditën e sotme

Dzihat Aliju  | 24.05.2025 - Përdıtësım : 26.05.2025
Qyteza e Kratovës në Maqedoninë e Veriut i çon vizitorët në një udhëtim në të kaluarën me urat historike Foto: Xhihat Aliju/AA

Kratovë

KRATOVË (AA) - XHIHAT ALIJU - Qyteza e Kratovës në verilindje të Maqedonisë së Veriut i çon vizitorët në një udhëtim në të kaluarën me urat historike prej guri dhe kullën e sahatit, të ndërtuara gjatë periudhës osmane, raporton Anadolu.

Qyteza, e cila thuhet se ka pasur 17 ura dhe 12 kulla në të kaluarën, sot i çon vizitorët e saj në një udhëtim në të kaluarën me 6 urat dhe 6 kullat që kanë arritur deri në ditën e sotme.

Duke u ofruar vizitorëve të saj një pamje të qytetit mesjetar, Kratova njihet si një nga vendbanimet pioniere në fushën e minierave gjatë periudhës osmane.

Burime të ndryshme pohojnë se një punishte monedhash u hap në Kratovë gjatë mbretërimit të Sulltanit osman Bejazitit II (1481-1512), monedha ari dhe argjendi u prenë atje, dhe kjo punishte monedhash mbeti aktive për rreth 150 vjet.

- Urat e Kratovës

Ekzistojnë 6 ura historike prej guri të quajtura Rada, Hamami i Epërm, Grofçanski, Çarşi, Jorkishirski dhe Arguliçki, të cilat janë të rreshtuara si një gjerdan dhe kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, mbi lumin Tabakhane ose Kratova, siç njihet sot, që kalon nëpër qytezë. Urat historike dihet se janë ndërtuar në shekujt e 18-të dhe të 19-të.

Më e famshmja prej tyre, Ura e Radës, spikat edhe me legjendën e saj popullore.

Legjenda e urës së Radës tregohet kështu: "Përderisa 9 vëllezër po ndërtonin urën, ata vunë re se ura po shembet gjatë natës. Një natë, vëllezërit bien dakord që cilado nga bashkëshortet e tyre u sjell ushqim mëngjesin tjetër, do të ndërtojë murin e urës sipër saj. Ndërsa tetë nga nëntë vëllezër i informojnë bashkëshortet e tyre, vëllai më i vogël harron ta informojë bashkëshorten e tij, Radën. Të nesërmen, kur vëllezërit e shohin Radën duke u sjellë ushqim, ata ndërtojnë urën duke ngritur murin mbi trupin e saj. Kur ura nuk shembet, ajo emërohet sipas Radës".

- Kullat e Kratovës

Kratova, e famshme edhe për kullat e saj, tërheq shumë vizitorë me çarshinë e vogël historike të zbukuruar me kalldrëm.

Qyteza e vogël dhe e qetë gjithashtu në vete e posedon edhe një Kullë të Sahatit, e cila ka mbijetuar e padëmtuar deri më sot.

Gjersa burimet pohojnë se Kulla e Sahatit u ndërtua gjatë periudhës osmane, qyteza gjithashtu strehon kullat e Emin Beut, Simiqevës, Zlatkovës dhe Krstevës brenda kufijve.

- Kratova në largësi prej rreth një orë e gjysmë prej kryeqytetit Shkup

Kratova, me formacionet shkëmbore të quajtura "Kukulla prej guri" të vendosura në fshatin Kuklicë pranë qytezës, si dhe Guri i Cocevit, një shkëmb vullkanik i përdorur si një observator megalitik në kohët parahistorike, ofron një festë për entuziastët e historisë.

Në Kratovë, e cila është afërsisht një orë e gjysmë larg kryeqytetit Shkup, mund të shkohet edhe me autobus, me një biletë vajtjeje për afërsisht 5 euro, ose një biletë vajtje-ardhje për afërsisht 10 euro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.