Veturat “oldtimer” stacionohen në qendër të Prizrenit
Drejtori i festivalit Ehat Oreshka tha për Anadolu se këtë vit në festival, i cili tradicionalisht organizohet në shkallë ndërkombëtare, kanë ardhur shumë vetura klasike nga vende të ndryshme evropiane

Prishtinë
Festivali i Veturave klasike “Oldtimer” po mbahet në kryeqytetin historik të Kosovës, në Prizren, raporton Anadolu.
Më shumë se 80 vetura klasike që erdhën në Prizren nga vende të ndryshme në kuadër të festivalit “Oldtimer”, i cili këtë vit u mbajt për të 20-tën herë, u stacionuan për ekspozitë në sheshin historik Shadërvan.
Drejtori i festivalit Ehat Oreshka tha për Anadolu se këtë vit në festival, i cili tradicionalisht organizohet në shkallë ndërkombëtare, kanë ardhur shumë vetura klasike nga vende të ndryshme evropiane.
Oreshka e quajti këtë organizim si një ekspozitë të hapur me vetura klasike.
“Sot është një ditë e veçantë për qytetin e Prizrenit, sepse qytetarët kanë mundësi të shohin disa automjete që kanë vlerë muzeale, duhet theksuar se në këtë manifestim po marrin pjesë edhe mysafirë nga e gjithë Evropa, veçanërisht nga Turqia, Sllovenia dhe Hungaria”, tha ai.
Oreshka shtoi se si pjesë e festivalit ishte ekspozuar edhe limuzina e ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha.
Turistët vendas dhe të huaj po tregojnë interes të madh për festivalin, ku po shfaqën edhe vetura klasike të prodhuara një shekull më parë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.