
PRISHTINË (AA) - Vepra e Shekspirit “Romeo dhe Xhulieta“, në regji të mirënjohurit Miki Manojloviq, e cila luhet të premtën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka tubuar aktorët kulmor shqiptarë të Kosovës dhe aktorët serb nga Serbia.
Kjo shfaqje e cila ka ngritur interesim të madh, jo vetëm në Kosovë dhe Serbi por, edhe më gjerë, luhet njëkohësisht në të dyja gjuhët, shqipe e serbe dhe është projekt i realizuar në bashkëpunim të Manojloviqit dhe “Punëtorisë për Integrime” (Radionica Integracije) nga Beogradi dhe Qendrës Multimediale të Jeton Neziraj nga Prishtina.
Tragjedia e Shekspirit e cila flet për urrejtje, dashuri dhe shpresë, është një krahasim apo paralele adekuate e cila pasqyron marrëdhëniet e brishta dhe jo të mira të dy vendeve.
Uliks Femihu, i biri i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu, është në mesin e aktorëve të cilët luajnë në këtë shfaqje. Fëmijërin dhe rininë e tij, gjatë pushimeve verore, Uliksi e ka kaluar shpesh në Prishtinë. Madje, para 5 viteve, në vitin 2010 kur i ati i tij kishte ndërruar jetë, Uliksi i ishte drejtuar publikut kosovar, në gjuhën shqipe, me rastin e mbledhjes komemorative në kineman ABC, në Prishtinë.
5 vite më vonë, ai është sërish në Prishtinë por, kësaj radhe ai do t’i drejtohet publikut kosovar si aktorë në rolin e fratër Lorencit, në gjuhën shqipe, gjuhën amtare të babait të tij. Uliksi nuk e fsheh kënaqësin dhe gëzimin e tij që është në Prishtinë, siç thotë ai, kësaj radhe është kjo një ardhje e planifikuar ngase 5 vite më herët ishte më ndryshe situata dhe kjo vizitë bartë krejt një ndjenjë tjetër.
“Jam shumë i lumtur dhe i ngazëllyer që jamë këtu, ndërsa si do të jetë sonte do ta shohim” thotë Uliks Fehmiu për Anadolu Agnecy (AA).
Nuk ka dyshim se të luash rolin në Romeon dhe Xhulietën e Shekspirit, është një sfidë e madhe artistike mirëpo, kësaj radhe kjo sfidë po shkonë një hap më tutje sepse “Romeo dhe Xhulieta” në regji të Miki Manojloviqit ka bashkuar dy shoqëri artistike në një vend, atë shqiptare dhe serbe.
Bazuar në kritikat pas shfaqjes së parë në Beograd, të luajtur muajin e kaluar, shihet se simbolika e armiqësisë së dy familjeve, Monteki të Romeos dhe familjes Kapulet të Xhulietës, në një mënyrë reflekton konfliktet dhe moskuptimin që, edhe sot e kësaj dite i karakterizon marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptarë dhe serb. Për ta theksuar këtë fakt, regjisori Manojloviq ka vendosur që familjen Monteki ta luajnë aktorët nga Kosova kurse rolet e familjes Kapulet, ta luajnë aktorët nga Serbia, secili në gjuhën e vet, shqipe dhe serbe.
Megjithatë, Uliksi rrëfen se regjisori këtu e bënë një rokadë përbrenda ndarjes së roleve duke ju ndërruar anët dy aktorëve, ku një aktor serb luan anëtarin e familjes shqiptare dhe aktori shqiptarë luan rolin e anëtarit të familjes serbe, kurse shfaqja luhet pa përkthim, pa titra.
“Jam i sigurtë se në të dyja mjediset, do të ketë të tillë që në atë pjesën bazë të shfaqjes do të kenë probleme të kuptojmë se çfarë në të vërtet aktori po thotë në skenë. Nga ana tjetër, qëllimi i Mikit ka qenë ...dhe në këtë kuptim mendoj se është e saktë... se gjuha është bazë e komunikimit mirëpo assesi nuk siguron se ne në të vërtet kuptohemi” thotë Uliks Fehmiu dhe shton se moskuptimi ndërmjet të njerëzve vjen për arsye tjera dhe jo për shkak të barrierave gjuhësore.
Ai më tutje shton se, është e vërtet që kjo shfaqje flet për urrejtje por thekson se, njëkohësisht flet edhe për dashuri ndërmjet të dy të rinjve, që është më e fortë se sa urrejtja dhe moskuptimi i mjedisit në të cilin ata gjenden, njëherësh duke theksuar se, arsyeja e moskuptimit tonë absolutisht nuk qëndron në moskuptimin gjuhësor.
Lidhur me faktin se aktorët e familjeve Kapulet dhe Monteki luajnë secili në gjuhën e vet, ndërsa gjuha serbe dhe shqipe gërshetohen gjatë konfliktit të këtyre dy familjeve kurse përkthim nuk ka, reagimi i publikut beogradas pas shfaqjes së luajtur muaj më parë në Teatrin Kombëtar të Serbisë ishte i shkëlqyeshëm, thotë Uliks Fehmiu.
“Nuk kam qenë i sigurt nëse ky vendimi i Mikit që të mos ketë përkthim, në asnjë mjedis, ka qenë e drejtë. Megjithatë, është treguar se ky ka qenë vendimi i vetëm i duhur” vlerëson aktori i njohur, Fehmiu.
“Ne jemi fqinjë dhe ndajmë aq shumë gjëra të përbashkëta, të mira dhe të këqija, mirëpo ajo që më dukej e çuditshme është se , njerëzit më afroheshin sikurse për herë të parë kishin dëgjuar gjuhën shqipe. Ne jetojmë në fqinjësi ndërsa ... në të vërtet neve na duket se e njohim njëri tjetrin por në fakt kjo nuk është kështu dhe mendoj se ky është një hap i vogël drejtë njoftimit”, rrëfen Uliksi dhe shton se, pas shfaqjes njerëzit ja kanë pranuar se sa bukur po i përshtatet Shekspirit gjuha shqipe dhe sa bukur tingëllonte në skenë dhe ata, përkundër faktit se nuk e kanë kuptuar shumicën e fjalëve kanë qenë të fokusuar në melodinë dhe bukurinë e gjuhës shqipe. Kjo për mua ka qenë një ndjenjë speciale.
Në konstatimin e Anadolu Agency se babai i Uliksit, aktori i madh Bekim Fehmiu ka shkuar nga kjo botë pa luajtur asnjëherë në gjuhën amtare ndërsa tash, rasti ju dha djalit të tij, Uliksi me buzëqeshje dhe shumë sinqeritet pranoi se aktrimi në gjuhën shqipe në Beograd ka qenë krejt diçka tjetër sepse publiku nuk ka qenë ai i cili mund të vlerësoj kualitetin e gjuhës shqipe të cilën unë e flas.
“Sonte jemi në Prishtinë, është një publik tjetër dhe shpresojë se nuk do ta turpëroj babain” thotë Uliksi.
Për të, kjo përvojë e bashkëpunimit me kolegët aktorë nga Kosova do të jetë e veçantë edhe për faktin se ka bërë shokë të ri dhe përë këtë, thotë se është pafundësisht i lumtur.
Premiera në Prishtinë e “Romeo dhe Xhulieta” në mënyrën shqiptaro-serbe në regji të Miki Manojloviqit është caktuar për të premten në ora 20, ndërsa janë paraparë edhe tri repriza tjera. Të shtunën me 16 maj, nga ora 17:00 dhe 21:00, si dhe të dielën me 17 maj, nga ora 20. Kjo shfaqje përndryshe, është e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Bashkimi Evropian, Ambasada Amerikane në Kosovë, Ambasada Amerikane në Beograd, Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur në Prishtinë (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Austrisë, The Balkan Trust for Democracy dhe Fondacioni Erste.
Romeo dhe Xhulieta nuk është projekti i parë në të cilin artistët shqiptarë dhe serb bashkëpunojnë, kjo ka filluar menjëherë pas luftës, mirëpo duhet theksuar se ky është aktiviteti i parë publik që është mbështetur nga të dyja Qeveritë, ajo e Serbisë dhe e Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.