
BERAT (AA) - Mali i Tomorit në rrethin e Beratit është kthyer këto ditë në pritësin e mijërave pelegrinëve nga gjithë Shqipëria, por edhe jashtë saj, që i bashkohen pelegrinazhit të përvitshëm tëbesimtarëve bektashinj, raporton Anadolu Agency (AA).
Besimtarët e shumë që vizitojnë këtë vend për pesë ditë me radhë kryejnë ritet fetare ku më kryesori është therja e kurbaneve që sjellin vetë pelegrinët. Pelegrinazhi i njohur si festa e Abaz Aliut në malin e Tomorit shoqërohet gjithmonë me therjen kurbaneve, ku një tjetër veçori tjetër e festës është edhe lyerja e ballit të pelegrinit me gjakun e kurbanit. Më pas ritet vazhdojnë në Teqenë e Kulmakut me ndezjen e qirinjve dhe riteve të tjera.
Anadolu Agency (AA) ka ndjekur nga afër këtë pelegrinazh, ku edhe ka marrë një prononcim nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, dhe besimtarëve që iu ishin bashkuar kësaj feste, e cila tashmë është kthyer në një traditë në vend,
Brahimaj shprehet se Abaz Aliu është flamurtari i Betejës së Qerbelasë i cila ka rënë për paqe. Ai ndër të tjera shprehet se: “Abaz Aliu zgjodhi Malin e Tomorit dhe kjo fjalë do të thotë të mirët dhe ai erdhi ne këtë vend të mirë për ta bekuar këtë vend, për të na dhënë paqe, dashuri dhe mirësi mes njëri-tjetrit, për të përballuar vështirësitë e kësaj bote. Në këtë ditë të shenjtë unë uroj të gjithë bektashinjtë, jo vetëm të Shqipërisë, por kudo që janë në botë, por edhe vëllezërit musliamanë, ortodoksë dhe katolikë, të luftojmë për një paqe të përgjithshme botërore kundër të keqes, kundër terrorizmit, kundër veprave të ndaluara nga urdhrat e Zotit”-.
Në Malin e Tomorit vërehet edhe entuziazmi i pelegrinëve të shumtë, të cilët bëjnë gati kurbanet dhe shtrojnë sofrën e tyre familjare. Njëri prej tyre është edhe Dritan Herri që vjen nga qyteti i Durrësit: “Për të tretin vit me radhë vij në këtë vend dhe vij së bashku me familjen time, bashkëshorten dhe dy djemtë dhe do ta vizitojmë gjithmonë si vend. Kush mundet është mirë të vizitohet si vend, të paktën një herë në vit” shprehet për AA Herri.
Edhe Arben Alicani nga Fieri, e viziton Malin e Tomorit së bashku me familjen e tij dhe shprehet se pas një shkëputjeje prej disa vitesh vjen për herë të katërt në pelegrinazh. “Këtu bëjmë të gjitha ato ritualet fetare që janë të përcaktuara, kurbanin, ndezjen qirinjve, japim donacione, etj”- shprehet ai.
Ndërkohë Teqeja e Abas Aliut ndodhet në krahun jugor të malit të Tomorit, në majën e quajtur Kulmak në lartësinë 2400 metra mbi nivelin e detit. Vendi i adhurimit për besimtarët bektashi ku zhvillohet pelegrinazhi i muajit gusht u shpall monument kulture në vitin 2008. Malin e Tomorit e vizitojnë jo vetëm banorët e zonës, por edhe shumë të tjerë nga gjithë Shqipëria, jashtë saj, si dhe personalitete të shumta.
Pelegrinazhi në Malin e Tomorit do të vazhdojë deri më 25 gusht.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.