Kulturë, archive

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, thesar i diturisë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, është biblioteka më e pasur në Kosovë me rreth 2 milion libra, dorëshkrime, revista dhe doracakë në gjuhën shqipe dhe shumë gjuhë tjera

15.05.2015 - Përdıtësım : 15.05.2015
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, thesar i diturisë

PRISHTINË (AA)- Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, me 99 kupola të bardha të cilat e karakterizojnë pamjen e jashtme të saj, për më shumë se tri dekada paraqet një nga simbolet kryesore të kryeqytetit të Kosovës. Ajo gjendet në qendër të Prishtinës, pranë Universitetit.

Ndërtesa është vepër e arkitektit të njohur kroat me prejardhje shqiptare, Andrija Mutnjakoviq, ndërsa ndërtimi i takon periudhës jugosllave të arkitekturës në Kosovë. E inspiruar me hojet e bletëve dhe e ndërtuar me kube dhe gjysmë sfera, është shenjë arkitektonike  e arkitekturës rajonale.

Shefja e sektorit për informim dhe shërbime bibliotekare, Ziza Kraja, gjatë bisedës me Anadolu Agency thotë se biblioteka është plotësisht e mbuluar me rrjetë dhe se në kulm gjenden 99 kupola nga xhami, të cilat mundësojnë ndriçimin zenital të dhomave të leximit dhe hapësirave të tjera punuese.

Lidhur me simbolikën e këtyre kupolave të bardha, përherë janë zhvilluar debate dhe ka pasur mendime të ndryshme. “Gjithmonë ka tërhequr interesim të madh kuptimi dhe simbolika e këtyre kupolave. Është përfolur se janë simbol i plisave, dikush se janë simbol i trurit, për arsye se biblioteka në njëfarë mënyre e ushqen trurin” thotë Kraja.

Ndërtesa në të cilën është e vendosur biblioteka kap hapësirën prej 16.500 metra katror, ka katër kate mbi tokë dhe dy nën tokë, ku është i vendosur arkivi  me libra. Në brendësi të bibliotekës gjenden punimet e artistëve të famshëm kosovar, sikurse janë mozaikët dhe muralet e Muslima Muliqit, punimet nga druri i lisit, punimet nga drunjtë tjerë dhe mozaikët me të cilët është e shtruar dyshemeja e ndërtesës.

“Këta janë filigran të punuar me dorë. I ka punuar i ndjeri Simon Shiroka dhe ia ka falur bibliotekës kur është vënë në përdorim në tetor 1981”.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është themeluar në vitin 1943, në Prizren, mirëpo është transferuar kur Prishtina u bë kryeqytet i Kosovës.

Me projektin ndërtues ishte parashikuar që ajo të ketë funksion të dyfishtë, të jetë bibliotekë kombëtare dhe universitare, prandaj edhe ka salla të shumta për lexim. Megjithatë, vitin e kaluar ishte marr vendimi që këto dy biblioteka të ndahen por, kjo bibliotekë ende i kryen të dyja funksionet, thotë Ziza Kraja.

Biblioteka Kombëtare është më e pasura në Kosovë, me rreth 2 milion libra, dorëshkrime, revista e doracak në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë tjera.

“Kemi libra në gjuhën tonë, mirëpo jo shumë moti, ne kemi qenë pjesë e ish Jugosllavisë dhe këtu ka libra edhe në gjuhën serbo-kroate, sllovene, maqedonase, por kemi literaturë edhe në gjuhën angleze, gjermane, franceze, dhe gjitha gjuhët tjera botërore” thotë Kraja.

Anëtarësimi vjetor kushton 12 euro. Lexuesi gjithmonë duhet të dijë se cilin libër e kërkon, qoftë autorin apo titullin. Biblioteka ka gjithsejtë 400 vende për lexues,është e hapur nga ora 7 deri në orën 20 dhe librat nuk mund të nxirren jashtë bibliotekës., thekson Kraja.

Myrvete Thaqi nga Rahoveci, studente e vitit të tretë në fakultetin juridik është lexuese e rregullt në bibliotekë.

“Kushtet janë duke u përmirësuar nga vitit në vit dhe në përgjithësi jam e kënaqur me kushtet të cilat i ofron në aspektin e hapësirës, ndërsa edhe kultura e leximit e studentëve është në ngritje e sipër, ka më shumë disiplinë dhe interesim për të lexuar” thotë Thaçi.

Edhe Egzon Berisha nga Prishtina, student i vitit të tretë të gjeodezisë,është shfrytëzues materialeve të bibliotekës. “Këtë bibliotekë e përdori për të mësuar sepse aktualisht nuk kam ndonjë hapësirë tjetër dhe biblioteka e fakultetit është tepër e ngarkuar me studentë. Kjo bibliotekë na ofron më shumë kushte dhe ka hapësirë më të madhe për shfrytëzim” thotë Berisha.    

Nga viti 2005, Biblioteka Kombëtare e Kosovës përveç katalogut manual me renditje të alfabetit, përdor edhe katalogun digjital për gjetjen e titujve dhe librave të ndryshëm.

Fondi i librave po pasurohet në shumë mënyra.

“Çdo shtëpi botuese në Kosovë është e obliguar që bibliotekës t’ia dhuroi 5 ekzemplar të librit .. atëherë  Ministria e Kulturës e ndanë një fond të caktuar për blerjen e librave dhe në këtë mënyrë e pasurojmë fondin e bibliotekës. Kohë pas kohe, kemi donacione të ndryshme të librave” thotë shefja e sektorit për informim dhe shërbime bibliotekare , Ziza Kraja.

Brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës gjenden edhe shumë biblioteka të veçanta, në mesin e të cilave është biblioteka Evropiane, ajo e NATO-së, Biblioteka e artit bashkëkohor, Biblioteka e artit muzikor, Biblioteka për personat e verbër, ndërsa ka edhe biblioteka personale sikurse është ajo e profesorit të ndjerë, Fehmi Aganit, me mbi dy mijë tituj, të cilat i ka dhuruar familja e tij.

“Është rezervuar vend i posaçëm dhe aty janë librat e tij, tavolina, lapsat,gjithçka ka pasur profesori. Po ashtu e kemi edhe bibliotekën e profesorit tonë Hasan Mekulit” thotë Kraja dhe thekson se biblioteka e posedon edhe laboratorin e vet për restaurimin e librave të vjetër.

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare organizohen edhe ngjarje të ndryshme kulturore, sikurse prezantimi i librave të ri, diskutime dhe debate, si dhe ekspozita. Bibliotekën për çdo ditë e vizitojnë edhe turistët e shumtë, thotë Kraja dhe shton se, numri i lexuesve ka rënë dukshëm.

Sipas fjalëve të saj, kjo është normale për shkak të hapjes së shumë bibliotekave nëpër fakultete por, edhe për shkak të përdorimit të internetit dhe versioneve elektronike të librave.  Megjithatë, ajo porositë se : asgjë nuk mund ta zëvendësoj librin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın