Turqia shtrëngon masat për udhëtimet ndër-qytetore për të luftuar koronavirusin
"Nëse gjatë këtyre kontrolleve zbulohen simptoma të sëmundjes, të gjithë pasagjerët e pranishëm në automjet do të vendosen në karantinë", tha Soylu

Ankara
Në kuadër të masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Turqi, ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, ka deklaruar se ata që do të kryejnë udhëtime ndër-qytetore do të testohen për temperaturë të lartë dhe kollitjem, me sisteme të vendosura në hyrje dhe dalje të qyteteve, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nëse gjatë këtyre kontrolleve zbulohen simptoma të sëmundjes, të gjithë pasagjerët e pranishëm në automjet do të vendosen në karantinë", tha Soylu.
Soylu theksoi se përdorimi i transportit publik në vend është reduktuar me 90 për qind, si dhe falënderoi publikun turk për përpjekjet e tyre në këtë drejtim.
Të premten, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se udhëtimet ndër-qytetore do t'i nënshtrohen lejes së autoriteve lokale dhe se do të lejohen vetëm autobusët që e kanë të rregulluar hapësirën e ulëseve.
Dje, Turqia po ashtu pezulloi të gjitha fluturimet ndërkombëtare, si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Presidenti Erdoğan njoftoi një orar fleksibël të punës edhe për sektorin privat, pasi të njëjtën gjë e njoftoi për punonjësit publik, me qëllim reduktimin e rrezikut nga virusi për publikun.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Turqi ka arritur në 108, me gjithsej 7.402 raste të infektuara në mbarë vendin dhe me të paktën 42 pacientë të shëruar.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi i ri është përhapur në të paktën 177 vende dhe rajone. Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani në të gjithë botën janë raportuar mbi 618 mijë raste të koronavirusit, prej të cilave mbi 28.600 kanë vdekur dhe mbi 135.700 janë shëruar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.