Turqia ka administruar mbi 33 milionë vaksina kundër COVID-19
Më shumë se 19,39 milionë njerëz kanë marrë dozat e tyre të para, kurse 13,61 milionë janë vaksinuar plotësisht, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë

Stamboll
Turqia ka administruar mbi 33 milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 që kur filloi fushata e vaksinimit masive në mes të janarit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Më shumë se 19,39 milionë njerëz kanë marrë dozat e tyre të para, ndërsa 13,61 milion janë vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave të ministrisë.
Të premten, vendi administroi një total prej 578.762 dozave të vaksinave, treguan shifrat zyrtare.
Turqia raportoi 6.261 raste të reja me koronavirus, duke përfshirë 561 pacientë simptomatikë, gjatë 24 orëve të fundit të premten. Numri i rasteve të reja të enjten ishte 6.408.
Numri i përgjithshëm i rasteve të vendit është gati 5,32 milionë, ndërsa numri i të vdekurve në gjithë vendin ka arritur në 48.593 me 69 viktima të reja.
Të premten, Turqia shtoi në listat e vaksinimit punëtorët e ngarkesave, korrierët dhe punonjësit e transportit të linjave brenda qyteteve dhe ndërurbane, si dhe punëtorët e shërbimeve të taksive dhe minibusëve në grupet prioritare të vaksinave kundër COVID-19.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, Turqia aktualisht po zbaton orë policore nga ora 22:00 deri në 5:00 të mëngjesit nga e hëna në të shtunën dhe mbyllje të plotë të dielave.
Që nga dhjetori 2019, pandemia ka marrë mbi 3,78 milionë jetë në pothuajse gjithë globin, me më shumë se 175,2 milionë raste të raportuara në gjithë botën, sipas Universitetit Johns Hopkins me bazë në SHBA.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.