Koronavirusi

Presidentët e SHBA-ve dhe Kinës zotohen për bashkëpunim kundër COVID-19

Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar mbrëmë, Trump dhe Xi kanë "përsëritur angazhimin e tyre për të bashkëpunuar në mbrojtjen e jetëve dhe jetesës", thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë

Michael Gabriel Hernandez  | 27.03.2020 - Përdıtësım : 28.03.2020
Presidentët e SHBA-ve dhe Kinës zotohen për bashkëpunim kundër COVID-19 Foto: AA/Arhiv

Washington

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, janë zotuar për bashkëpunim të mëtejshëm në kohën e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar mbrëmë, Trump dhe Xi kanë "përsëritur angazhimin e tyre për të bashkëpunuar në mbrojtjen e jetëve dhe jetesës", thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, përderisa rritet numri i vdekjeve në botë dhe SHBA ka tejkaluar Kinën e Italinë për rastet e konfirmuara me COVID-19.

"Dy liderët u pajtuan që të bashkëpunojnë për të mposhtur pandeminë e koronavirusit dhe për të rikthyer shëndetin dhe prosperitetin global", thuhet në njoftim.

Sot më herët, Trump tha se "sapo ka përfunduar një bisedë shumë të mirë" me homologun Xi.

"Diskutuam në detaje të shumta koronavirusin që po shkatërron pjesë të mëdha të planetit tonë. Kina ka përballuar shumë dhe ka zhvilluar një kuptim të fortë të virusit. Ne po punojmë ngushtë së bashku. Shumë respekt", tha Trump.

Komentet e presidentit Trump dhe njoftimi i Shtëpisë së Bardhë janë në kontrast të madh me retorikën që Trump dhe zyrtarët e tij të lartë e kanë përdorur në mes të pandemisë.

Trump vazhdimisht e ka quajtur virusin COVID-19 "virus kinez", pavarësisht paralajmërimeve se përdorimi i këtij termi mund të rezultojë në armiqësi dhe dhunë anti-kineze dhe kundër kinezëve amerikanë.

Raportohet se ministrat e jashtëm të vendeve të grupit G7 nuk arritën një deklaratë të përbashkët pas takimit të mërkurës për shkak të insistimit të Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo që teksti të etiketojë viruin COVID-19 si "virusi i Wuhan-it", një referencë për qytetin kinez, ku virusi u shfaq në muajin dhjetor.

Kjo u kundërshtua nga ministrat e jashtëm të vendeve tjera.

Pasi u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në të paktën 176 vende dhe rajone.

Universiteti Johns Hopkins me bazë në SHBA njofton se mbi 553.200 njerëz kanë rezultuar pozitiv në të gjithë botën, kurse numri i vdekjeve ka shkuar në mbi 25.000 dhe mbi 127.500 të tjerë janë shëruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.