Koronavirusi

OKB paralajmëron pasoja "të frikshme" nga koronavirusi në Gaza

McGoldrick tha se shpërthimi i mundshëm i virusit COVID-19 në Gaza mund të jetë i tmerrshëm për shkak të bllokadës afatgjate mbi popullsinë dhe pajisjet e kufizuara shëndetësore në rajon

Dilara Hamit  | 22.03.2020 - Përdıtësım : 23.03.2020
OKB paralajmëron pasoja "të frikshme" nga koronavirusi në Gaza Foto: AA/Arhiv

Gaza

Koordinatori humanitar i Kombeve të Bashkuara (OKB) për territorin e pushtuar palestinez, Jamie McGoldrick, ka deklaruar se mund të ketë pasoja "të frikshme" nga koronavirusi në Rripin e Gazës që është nën bllokadën izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

McGoldrick për "UN News" tha se shpërthimi i mundshëm i virusit COVID-19 në Gaza mund të jetë i tmerrshëm për shkak të bllokadës afatgjate mbi popullsinë dhe pajisjet e kufizuara shëndetësore në rajon.

I shqetësuar për situatën në Rripin e Gazës së bllokuar, McGoldrick tha se njerëzit do të mbërthehen në rajon në rast të një epidemie, duke rezultuar në përhapjen e virusit.

Në një intervistë të botuar në faqen e internetit të OKB-së, McGoldrick përmendi sistemin e dobët dhe të pamjaftueshëm shëndetësor në Gaza lidhur me burimet financiare dhe pajisjet, si dhe theksoi se ata janë në kontakt me administratën palestineze dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për përmirësimin e sistemit shëndetësor.

Ai tha se po punojnë me donatorë ndërkombëtarë në një projekt me një buxhet prej 7 milionë dollarësh për të përmbushur nevojën urgjente të Gazës për ndihmë humanitare për dy muajt e ardhshëm.

Ministria palestineze e Shëndetësisë sot konfirmoi dy rastet e para të koronavirusit në Rripin e Gazës.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës dhe aktualisht, bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins në SHBA, është përhapur në të paktën 169 vende dhe rajone.

Nga pothuajse 312 mijë raste të konfirmuara, numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 13 mijë, ndërsa rreth 94 mijë janë shëruar.

Italia, Kina, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të prekura.

Pavarësisht numrit në rritje të rasteve, shumica e njerëzve që kontraktojnë koronavirusin vuajnë simptoma të buta para se të shërohen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.