Koronavirusi

Moderna: SHBA furnizohet me 30.4 milionë vaksina COVID-19

Kompania amerikane tha se është duke punuar për dorëzimin e 100 milionë dozave deri në fund të tremujorit të parë dhe të 200 milionë dozave deri në fund të tremujorit të dytë

Övünç Kutlu  | 26.01.2021 - Përdıtësım : 27.01.2021
Moderna: SHBA furnizohet me 30.4 milionë vaksina COVID-19

Ankara

Kompania farmaceutike Moderna ka bërë të ditur se ka furnizuar qeverinë e SHBA-ve me 30.4 milionë doza të vaksinës së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Kompania amerikane tha se është duke punuar për dorëzimin e 100 milionë dozave deri në fund të tremujorit të parë dhe të 200 milionë dozave deri në fund të tremujorit të dytë.

Në kuadër të operacionit "Warp Speed" të administratës së ish-presidentit Donald Trump, SHBA ra dakord për blerjen e 200 milionë dozave të vaksinës Moderna me mundësi për një blerje shtesë prej 300 milionë dozash.

Vaksina u autorizua për përdorim emergjent më 18 dhjetor nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-ve (FDA), me çka kompania Moderna filloi me dorëzimin e grupit të saj të parë të vaksinave.

Më 14 janar, Moderna njoftoi se në vitin 2021 do të rrisë prodhimin e saj të vaksinave globale nga 500 në 600 milionë doza, përderisa vazhdon të investojë dhe të shtojë personelin për të prodhuar deri në 1 miliardë doza për këtë vit.

Dje, kompania njoftoi se vaksina e saj ka arritur të funksionojë edhe kundër llojit të ri të virusit të zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, megjithatë mund të jetë më pak i efektshëm ndaj llojit në Afrikën e Jugut.

Për llojin tjetër të virusit në Afrikën e Jugut, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se ai lloj nuk ndryshon efektivitetin e vaksinës Moderna.

OBSH njoftoi se vaksina e kompanisë amerikane është e sigurt dhe efektive tek personat me gjendje të njohura mjekësore të shoqëruara me "rritje të rrezikut të sëmundjeve të rënda, të tilla si hipertensioni, diabeti, astma, sëmundjet pulmonare, ato të mëlçisë ose veshkave, si dhe të infeksioneve kronike që janë të qëndrueshme dhe të kontrolluara".

Ajo po ashtu rekomandoi përdorimin e vaksinës Moderna në një plan me dy doza brenda 28 ditëve, duke shtuar se intervali midis dozave mund të zgjatet deri në 42 ditë nëse është e nevojshme.

Përderisa po shpërndahet në SHBA një tjetër vaksinë kundër pandemisë COVID-19 e prodhuar nga kompania Pfizer dhe partneri i saj BioNTech, edhe kompania Johnson&Johnson në fillim të javës së ardhshme pritet të raportojë rezultatet e provës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.