Ministri turk i Shëndetësisë paralajmëron për rritjen e rasteve COVID-19 në Stamboll
"Rritja e numrit të javës së fundit në 28 rrethet (në Stamboll) është mbi 50 për qind krahasuar me mesataren e muajit të fundit", tha Koca pas takimit me guvernatorin e Stambollit, Ali Yerlikaya dhe krerët e rretheve të qytetit

Stamboll
Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka bërë të ditur se numri i rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) në qytetin metropolitan të Stambollit është rritur për 50 për qind javën e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Rritja e numrit të javës së fundit në 28 rrethet (në Stamboll) është mbi 50 për qind krahasuar me mesataren e muajit të fundit", tha Koca pas takimit me guvernatorin e Stambollit, Ali Yerlikaya dhe krerët e rretheve të qytetit.
"Shkalla e rritjes është 50-60 për qind në 11 rrethe, 60-70 për qind në 10 rrethe dhe 70-80 për qind në 7 rrethe", shtoi Koca.
Ai përsëriti se infeksionet në Stamboll përfshijnë 40 për qind të rasteve totale në të gjithë Turqinë, shifër e cila, siç tha ai, është dy herë më shqetësuese krahasuar me mesataren e vendit.
Ministri turk porositi që punonjësve që mund të punojnë në distancë duhet t'u ofrohet të punojnë nga shtëpia.
"Për fat të keq, ne nuk mund të vazhdojmë me suksesin që kemi treguar kohë të gjatë. Pika që kemi arritur kërkon që të jemi më të disiplinuar", tha Koca.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.