Koronavirusi

Maqedonia e Veriut fillon me vaksinimin kundër COVID-19

Filipçe tha se sot zyrtarisht filloi procesi i imunizimit kundër koronavirusit dhe shtoi se do të vazhdojë me vaksinimin e të gjithë punonjësve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Shkup

Ekip  | 17.02.2021 - Përdıtësım : 18.02.2021
Maqedonia e Veriut fillon me vaksinimin kundër COVID-19 Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Në hapësirat modulare të Klinikës Infektive në Shkup ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit të ri (COVID-19), fillimisht me punonjësit shëndetësor të angazhuar në klinikat për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Vaksina e parë e kompanisë Pfizer u mor nga Dobrinka Naumova Jovanovska, mjeke e sëmundjeve infektive, si dhe nga Gabriela Temelkovska, kryeinfermierja e Klinikës së Sëmundjeve Infektive.

Menjëherë pas vaksinimit, Jovanovska dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili sot nuk mori vaksinën, u adresuan në një konferencë të përbashkët për media. Filipçe njoftoi se vendosi të mos vaksinohet, sepse ai nuk dëshiron të zërë vendin e kolegëve që punojnë me pacientët e prekur nga virus.

Filipçe tha se sot zyrtarisht filloi procesi i imunizimit kundër koronavirusit dhe shtoi se do të vazhdojë me vaksinimin e të gjithë punonjësve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Shkup.

"Në bisedën e djeshme me përfaqësuesit e kompanisë Pfizer, ne u informuam se shuma tjetër prej pothuajse 4 mijë dozash do të mbërrijë javën e ardhshme. Kjo do të thotë se të gjithë ata që janë regjistruar për valën e parë të vaksinimit, domethënë do të vaksinohen 4 mijë punonjës shëndetësorë që aktualisht po punojnë me pacientë të prekur nga COVID-19", tha Filipçe.

Jovanovska, mjekja e parë që pranoi vaksinën në Maqedoninë e Veriut, u bëri thirrje të gjithëve që të vaksinohen, sepse siç tha ajo, kjo është e vetmja mënyrë për t'u mbrojtur nga virusi.

"Mund t'ju rekomandoj secilit prej nesh të marrë vaksinën, sipas zgjedhjes së tyre normalisht, kush dëshiron nga Pfizer, kush dëshiron nga dikush tjetër. Megjithatë, kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur veten nga ky lloj infeksioni", tha ajo.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 260 punonjës shëndetësorë, të cilët janë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, sot do të jenë të parët që do të marrin vaksinën kundër pandemisë COVID-19.

Të dielën, më 14 shkurt, në Maqedoninë e Veriut nga Serbia arritën 4.680 dozat e para nga gjithsej 8.000 të vaksinës COVID-19. Vaksinat u dorëzuan në një ceremoni të mbajtur në kufirin midis dy vendeve, ku të pranishëm ishin edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Autoritetet e vendit njoftuan se këto doza janë të rezervuara për personelin mjekësor, fillimisht për ato nëpër klinikat infektive dhe COVID qendrat e Shkupit, ndërsa më pas pasojnë edhe mjekët nga qytetet e tjera në vijën e parë të frontit. Punkti i vaksinimit, i ndarë në 6 pika vaksinimi, është vendosur në hapësirat modulare të Klinikës Infektive në Shkup dhe do të punojë me vaksinimin e personelit mjekësor nga ora 08 deri në orën 20.

Që në fillim të këtij viti, autoritetet e Maqedonisë së Veriut disa herë njoftuan se "së shpejti" do të arrijnë doza të vaksinës COVID-19, përfshirë edhe ato nëpërmjet instrumentit COVAX. Së fundmi, autoritetet njoftuan se deri në fund të muajit shkurt do të mbërrijnë 200 mijë doza të vaksinës kineze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.