Kina zbut politikën "zero COVID"
Sipas masave të reja, vendet publike nuk do të kërkojnë më rezultatet e testit të acidit nukleik. NHC po ashtu tha se rezultatet e testimit dhe kodi shëndetësor "nuk do të kërkohen më për udhëtime ndër-rajonale"

Istanbul
Pas demonstratave të javëve të fundit, Kina ka njoftuar se do të lirojë politikën e saj të rreptë "zero COVID", duke përfshirë një reduktim të shkallës së testeve nukleike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës (NHC) njoftoi se mekanizmi i përbashkët i parandalimit dhe kontrollit të Këshillit Shtetëror të Kinës lëshoi 10 masa të reja, duke lejuar infeksionet me simptoma të buta ose pa simptoma të qëndrojnë në karantinë në shtëpi dhe të reduktojnë shkallën e testimit të acidit nukleik.
Sipas masave të reja, vendet publike nuk do të kërkojnë më rezultatet e testit të acidit nukleik. NHC po ashtu tha se rezultatet e testimit dhe kodi shëndetësor "nuk do të kërkohen më për udhëtime ndër-rajonale".
Megjithatë, disa vende të veçanta, duke përfshirë shtëpitë e pleqve, institucionet mjekësore dhe shkollat, mund të kërkojnë ende rezultatet e testit të acidit nukleik.
Menjëherë pas lajmit për zbutje të masave të kontrollit të COVID-19, tregjet në Kinën kontinentale dhe në Hong Kong u rikthyen.
Kina ka ndjekur një politikë strikte të mbylljes së lagjeve, duke i çuar me forcë njerëzit në qendrat e karantinës të drejtuara nga qeveria dhe duke u kërkuar njerëzve të kryejnë disa teste përpara çdo angazhimi publik.
Ajo mbylli kufijtë për udhëtimet ndërkombëtare të cilat janë hapur së fundmi.
Megjithatë, vdekja e 10 banorëve në një zjarr brenda një apartamenti në provincën perëndimore Xinjiang shkaktoi një reaksion zinxhir.
Vendi ku ndodhën vdekjet ishte nën masa të rrepta COVID-19 të cilat mund të kenë vonuar operacionin e shpëtimit. Menjëherë pas incidentet të raportuar u mbajtën protesta në shumë qytete, disa prej të cilave u kthyen në të dhunshme pasi njerëzit shprehën zhgënjimin me politikën strikte.
Që kur rastet e para të koronavirusit u raportuan në dhjetor të vitit 2019, Kina ka raportuar 345.529 raste të konfirmuara me COVID-19, përfshirë 5.235 vdekje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.