Bota, Koronavirusi

Itali, vazhdon rënia e bilancit ditor të të vdekurve nga COVID-19

Rritja e sotme ditore e numrit të viktimave është më e ulta në rreth tri javë, duke i mbështetur shpresat e qeverisë për arritjen e kulmit

Barış Seçkin  | 08.04.2020 - Përdıtësım : 09.04.2020
Itali, vazhdon rënia e bilancit ditor të të vdekurve nga COVID-19

Romë

Italia sot konfirmoi 542 vdekje të tjera nga koronavirus i ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 17.669, por duke regjistruar ulje të bilancit ditor të të vdekurve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rritja e sotme ditore e numrit të viktimave është më e ulta në rreth tri javë, duke i mbështetur shpresat e qeverisë për arritjen e kulmit.

Ndërkaq, numri i rasteve aktive me COVID-19 u rrit me 1,3 përqind nga dita e djeshme për të shkuar në 95.262, ndërsa një ditë më parë kjo rritje ishte 0,9 për qind.

Numri i personave të shëruar arriti një rekord të ri, duke u ngjitur në 26.491, ndërsa bilanci i pacientëve në kujdes intensiv ra për të katërtën ditë radhazi.

Epiqendra e pandemisë në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili tani numëron 9.722 viktima.

Në betejën e saj të vazhdueshme për të frenuar sëmundjen, qeveria italiane ka vazhduar bllokimin gati total, i cili ndalon shumicën e prodhimit dhe veprimtarive të biznesit në Itali, të paktën deri më 13 prill.

Megjithatë, autoritetet kanë shprehur shqetësime se moti i mirë, i shoqëruar nga festa e Pashkëve, do të bëjë që më shumë njerëz të dalin jashtë, duke shumëzuar rreziqet e rifillimit të rritjes së infeksioneve.

Shkencëtarët dhe zyrtarët e qeverisë po bëjnë paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin aktivitetet në natyrë, por në ndërkohë janë rritur edhe presionet që qeveria të fillojë të heqë disa nga masat e rrepta të bllokimit, të paktën për bizneset kryesore, përpara të ashtuquajturës "faza-2" e pandemisë.

Një nga thirrjet më të forta erdhi sot nga shoqata e bizneseve Confindustria, posaçërisht për rajonet veriore të Lombardisë, Emilia Romagna, Piemonte dhe Veneto.

"Nëse katër rajonet kryesore veriore, të cilat përfaqësojnë 45 për qind të prodhimit italian, nuk do të jenë në gjendje të rifillojnë aktivitetet e tyre në një afat të shkurtër, vendi rrezikon ta fikë motorin e tij në mënyrë të prerë dhe çdo ditë shtesë paraqet rrezik për të mos arritur të ndizet më", thuhet në një apel të përbashkët të shoqatës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın