Itali, rritet në 26.384 numri i vdekjeve nga COVID-19
Sipas Departmentit Italian të Mbrojtjes Civile, 680 infeksione të reja u raportuan, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 105.847

Romë
Numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Itali është rritur në 26.384, pasi 415 persona të tjerë vdiqën gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Megjithatë, të dhënat nga autoritetet shëndetësore italiane treguan se infeksionet shënuan rënie për ditën e gjashtë me radhë. Sipas Departmentit Italian të Mbrojtjes Civile, 680 infeksione të reja u raportuan, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 105.847.
Ndërkohë, numri i të shëruarve ka shkuar në 63.120, ndërsa numri i pacientëve që po trajtohen në kujdes intensiv vazhdon të shënojë rënie.
Epiqendra e shpërthimit italian mbetet rajoni verior i Lombardisë, ku viktimat vazhdojnë të rriten. Deri më tani numri i viktimave në këtë rajon është 13.269, shifër e cila paraqet më shumë se gjysmën e vdekjeve totale të vendit.
Deri në fund të muajit maj pritet që qeveria të zbulojë planin mbarëkombëtar për fazën e rimëkëmbjes, por secili rajon vazhdon të ndërhyj në një drejtim tjetër.
Kryeministri Giuseppe Conte ka deklaruar se qeveria synon të fillojë heqjen e bllokimit mbarëkombëtar "gradualisht", por duke respektuar të gjitha masat e nevojshme në kushtet e distancimit shoqëror për të mbajtur nën kontroll kurbën e ngjitjes.
Qeveria po ashtu po hulumton një dekret të ri emergjence për të mbështetur ekonominë e bllokuar, e cila sipas parashikimeve të reja po shënon një rënie prej 8 për qind këtë vit, duke e çuar Italinë drejt një recesioni të ri.
Vendi po ashtu po dëshmon një borxh publik mbi 155,7 për qind të PBB-së (Prodhimi i brendshëm bruto), që është niveli më i lartë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Itanianët të shtunën festuan përvjetorin e Ditës së Çlirimit të Italisë, një festë kombëtare që përkujton fundin e pushtimit nazi-fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren e Rezistencës Italiane.
Përderisa italianët u detyruan të qëndrojnë në shtëpi për shkak të bllokimit, shumë e festuan duke kënduar himnin popullor antifashist "Bella Ciao" nga ballkonet dhe dritaret e tyre, veprim i cili u bë viral në mediat sociale.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Sipas shifrave të Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën 2.8 milionë, me rreth 200 mijë të vdekur dhe rreth 803 mijë të shëruar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.