Itali, numri i vdekjeve nga koronavirusi tejkalon shifrën 10 mijë
Megjithatë, shifrat e fundit të siguruara nga Departmenti i Mbrojtjes Civile i Italisë tregojnë një rritje më të ngadaltë të rasteve të infektuara krahasuar me ditën e djeshme

Romë
Italia ka konfirmuar 889 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve nga ky virus në vend ka arritur në 10.023, numër më i lartë i viktimave në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Megjithatë, shifrat e fundit të siguruara nga Departmenti i Mbrojtjes Civile i Italisë tregojnë një rritje më të ngadaltë të rasteve të infektuara krahasuar me ditën e djeshme.
Rastet e infektuara me koronavirus u rritën me 5 për qind për të arritur në 70.065 raste, krahasuar me ditën e djeshme kur shënuan një rritje prej 7 për qind. Numri i përgjithshëm i personave të shëruar në vend aktualisht është 12.384.
Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili numëron gjithsej 5.944 viktima.
Dje, ekspertët italianë thanë se vendi akoma nuk ka arritur në kulmin e sëmundjes, por theksuan se që nga 19 dhe 20 marsi kurba ka treguar një ngadalësim.
Ministrja italiane e Punëve të Brendshme, Luciana Lamorgese, sot tha se duket "joreale" ajo që bllokimi pothuajse i plotë i imponuar për qytetarët italianë do të përfundojë siç ishte planifikuar më parë, gjegjësisht më 3 prill.
Deri në fillim të prillit, pritet që qeveria italiane të miratojë një dekret të ri emergjence që duket se do të zgjasë masat e bllokimit për dy javë të tjera.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, po ashtu ka premtuar një paketë të re masash që synojnë mbrojtjen e ekonomisë në luftën e vendit nga një recesion i vështirë. Ai tha se masat e reja do të kenë një vlerë prej të paktën 25 miliardë euro.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi i ri është përhapur në të paktën 177 vende dhe rajone. Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani në të gjithë botën janë raportuar mbi 620 mijë raste të koronavirusit, prej të cilave mbi 28.600 kanë vdekur dhe mbi 135.700 janë shëruar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.