Gjermania shënon rekord të ri me mbi 110.000 raste të reja me COVID-19
Instituti Robert Koch raporton 112.323 raste dhe 239 viktima gjatë 24 orëve të fundit

Berlin
Gjermania raportoi më shumë se 110.000 raste të reja të koronavirusit në një ditë, një rekord i ri që nga fillimi i pandemisë dy vjet më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti Robert Koch (RKI), agjencia e kontrollit të sëmundjeve në vend, ka konfirmuar 112.323 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit dhe 239 vdekje që ndërlidhen me koronavirusin.
Numri i personave që janë aktualisht të sëmurë me COVID-19 u rrit në 972.400, një nivel i ri në valën e pestë aktuale të pandemisë.
Varianti Omicron ka qenë faktori kryesor në rritjen e re të numrit të rasteve. Sipas raportit të fundit javor të RKI-së, varianti përbën të paktën 73 për qind të infeksioneve të reja në vend.
Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, shumica e rasteve kanë qenë të lehta deri më tani, duke mos qenë e nevojshme të shtrohen në spital.
Niveli i hospitalizimit në Gjermani ishte 3,17 për 100.000 banorë të martën, shumë më e ulët se shifrat e vërejtura në valët e mëparshme të pandemisë.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i pacientëve me COVID-19 në njësitë e kujdesit intensiv vazhdoi të bjerë këtë javë.
Sidoqoftë, zyrtarët e shëndetit publik po paralajmërojnë se varianti Omicron po përhapet dukshëm më shpejt se variantet e mëparshme dhe mund të rëndojë sistemin e kujdesit shëndetësor nëse rastet vazhdojnë të rriten në mënyrë dramatike në ditët në vijim.
Qeveria gjermane ka rritur fushatën e saj të vaksinimit dhe po planifikon të administrojë vaksina përforcuese për të gjithë ata që kanë të drejtë brenda disa javësh për të frenuar përhapjen e variantit Omicron.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 72,8 për qind e popullsisë janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 dhe gati 47,6 për qind prej tyre kishin marrë edhe vaksinat përforcuese që nga e marta.
Ekspertët thonë se vaksinat përforcuese janë të nevojshme kundër variantit Omicron, pasi imuniteti nga dozat fillestare fillon të dobësohet me kalimin e kohës. Një dozë e tretë ofron një nivel të lartë mbrojtjeje kundër variantit, sipas studimeve paraprake laboratorike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.