Koronavirusi

Francë, numri i vdekjeve nga COVID-19 tejkalon shifrën 10 mijë

Që nga fillimi i shpërthimit, tha Salomon, në Francë janë raportuar mbi 109 mijë raste të infektimit

Fahri Aksüt   | 07.04.2020
Francë, numri i vdekjeve nga COVID-19 tejkalon shifrën 10 mijë

Paris

PARIS (AA) - Me 1.427 vdekje të regjistruara në 24 orët e fundit, shifra e vdekjeve të përgjithshme nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vend ka arritur në 10.328, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri francez i Shëndetësisë, Jereme Salomon, në një konferencë për media njoftoi se ndër 1.427 vdekjet e reja, 802 janë regjistruar në shtëpitë e pleqve.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka shkuar në 7.091 në spitale dhe 3.237 në shtëpitë e pleqve.

Që nga fillimi i shpërthimit, tha Salomon, në Francë janë raportuar mbi 109 mijë raste të infektimit. Ai shtoi se mbi 57 mijë aktualisht janë në spital, ndër të cilët 7.131 trajtohen në kujdes intensiv. Po ashtu, theksoi ai, gjithsej 19.337 pacientë janë shëruar nga virusi dhe janë lëshuar në shtëpi.

Në një transmetim mëngjesin e sotëm në FranceRadio, kreu i bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo dhe prefekti i policisë, Didier Lallement, njoftuan një dekret që hyn në fuqi nga dita e nesërme, për ndalimin e të gjitha stërvitjeve, përfshirë vrapimin, midis orës 10:00 deri në ora 19:00. Shkelësit e këtij vendimi do të gjobiten me 135 euro.

Sipas një studimi të botuar sot nga Odoxa-CGI, francezët nuk shprehen të dëshpëruar, pavarësisht bllokimit tashmë që tre javë, i cili përfundon më 15 prill, por me mundësi për t’u zgjatur.

Studimi zbuloi se shumica e francezëve shijojnë kufizimin e lëvizshmërisë me familjen, ndërkohë ata që punojnë përmes telekomunikimit përbëjnë 24 për qind dhe ata që nuk janë të angazhuar me punë përbëjnë 51 për qind.

Rreth 75 për qind e francezëve të anketuar ndërmjet 25 dhe 31 marsit u shprehën se nuk kanë ndjesi depresioni, ndërsa 57 për qind u shprehën se nuk ndjehen të shqetësuar apo të stresuar. Aktivitetet e kryera nga francezët gjatë mbylljes në shtëpi janë shkëmbimi me të dashurit e tyre (38 për qind), gatim (29 për qind), kopshtari (28 për qind), lexim (19 për qind), muzikë (18 për qind) dhe sport (14 për qind).

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi me epiqendër të re Evropën, pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.4 milionë, me mbi 80 mijë vdekje dhe mbi 298 mijë të shëruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın