Koronavirusi

Eurokomisari Varhelyi viziton pikën e vaksinimit në Shkup, mbërrijnë vaksinat e para nga BE-ja

Kryeministri Zaev njoftoi se sot në Maqedoninë e Veriut mbërritën 4.850 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer nga gjithsej 119.213 të cilat duhet të mbërrijnë deri në4 muajin gusht

Husamedin Gina  | 04.05.2021 - Përdıtësım : 05.05.2021
Eurokomisari Varhelyi viziton pikën e vaksinimit në Shkup, mbërrijnë vaksinat e para nga BE-ja Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi, lidhur me vaksinat e para të koronavirusit të ri (COVID-19) që mbërritën në Maqedoninë e Veriut nga BE-ja, ka theksuar se kjo është një ditë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe duhet të jetë një ditë e mrekullueshme për vendit, raporton Anadolia Agency (AA).

Eurokomisari Varhelyi së bashku me ministren austriake për Evropën dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, vizituan pikën e vaksinimit në qendrën sportive "Boris Trajkovski", ku mbërriti ndihma e parë e vaksinave nga BE-ja.

Të tre zyrtarët folën për mediat lidhur me procesin e vaksinimit në vend.

Kryeministri Zaev njoftoi se sot në Maqedoninë e Veriut mbërritën 4.850 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer nga gjithsej 119.213 të cilat duhet të mbërrijnë deri në4 muajin gusht.

Gjithsej këtë muaj, siç tha ai, këtë muaj duhet të mbërrijnë 19.890 doza të vaksinës Pfizer.

"Pres që vaksinimi të vazhdojë pa ndaluar. Janë siguruar vaksina efikase dhe të sigurta. Prandaj apeloj tek të gjithë qytetarët, paraqituni në 'vakcinacija.mk' për termin për t'u vaksinuar", u shpreh Zaev.

Eurokomisari Varhelyi, nga ana e tij, theksoi se BE-ja do të vazhdojë donacionet.

"Kjo është një ditë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe patjetër është një ditë e mirë për Maqedoninë e Veriut, sepse ne si BE përfundimisht arritëm t'i dërgojmë vaksinat e para", u shpreh Varhelyi.

Ai po ashtu tha se ata si BE qëndrojnë afër Ballkanit Perëndimor dhe se vaksinat janë dhuratë nga BE-ja për Maqedoninë e Veriut me qëllim për ta tejkaluar pandeminë.

Ndërkaq, ministrja Edtstadler tha se vaksinat ndryshojnë rregullat e lojës dhe ndihmojnë në lehtësimin e barrës në sistemin e kujdesit shëndetësor.

"Askush nuk është i sigurt derisa të jemi të gjithë të sigurt. Kjo pandemi ka shkaktuar vërtet shumë vuajtje në të gjithë Evropën dhe në të gjithë botën. Dhe nuk ka mbaruar akoma. Qendrat e vaksinimit janë vendet e shpresës. Kështu që sot është një ditë shprese", tha Edtstadler.

Ajo tha se këto vaksina do të na ndihmojnë të kthehemi në normalitet sa më parë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.