Koronavirusi

Dy maska sigurojnë mbrojtje të dyfishtë kundër COVID-19

Mbajtja e dy maskave në vend të një maske mund të ndihmojë në kufizimin e përhapjes së virusit që shkakton COVID-19 me rreth 95 për qind, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC)

Merve Berker  | 11.02.2021 - Përdıtësım : 12.02.2021
Dy maska sigurojnë mbrojtje të dyfishtë kundër COVID-19 Foto: AA/Arhiv

Ankara

Mbajtja e dy maskave siguron dy herë më shumë mbrojtje kundër COVID-19 sesa një e vetme, sipas një studimi të ri nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas studimit, dy koka artificiale me funksion të frymëmarrjes u pajisën me një ose dy maska, kurse mbi to u spërkatën grimca me të njëjtën madhësi si grimcat COVID-19 nga një distancë prej rreth 2 metrash.

Studiuesit zbuluan se në kokën artificiale me një maskë u bllokuan 40 për qind e grimcave të spërkatura, ndërsa 80 për qind u bllokuan në kokën artificiale me dy maska.

Nëse të gjithë në të njëjtin ambient mbajnë dy maska, sasia e grimcave të bllokuara rritet në 95 për qind në total, tha Dr. John Brooks, nga ekipi hulumtues.

“Sfida e parë është të bindësh sa më shumë njerëz të jetë e mundur të mbajnë maska. Pas kësaj, të ndihmojmë ata që mbajnë maskë të nxjerrin maksimumin nga ajo maskë”, tha Brooks.

CDC ka përditësuar udhëzimet e saj anti-virus se një maskë e pëlhurës e vendosur mbi një maskë kirurgjike mund të jetë më mbrojtëse duke mbyllur boshllëqet në maskën fillestare.

Por disa faktorë në studim kishin përfundim të paqartë, thuhet në një njoftimin për shtyp të CDC. Më tej thuhet se "Gjetjet e këtyre simulimeve nuk duhet as të përgjithësohen në efektivitetin e të gjitha maskave të procedurave mjekësore ose maskave të pëlhurës dhe as të interpretohen si përfaqësuese të efektivitetit të këtyre maskave kur mbahen në ambiente reale”.

Gjetjet gjithashtu mund të mos jenë të përgjithshme për fëmijët ose për burrat me mjekër, theksoi CDC.

Më tej shtohet se kontrolli i përhapjes së virusit "është kritik jo vetëm për zvogëlimin e efektit të përhapjes së pandemisë të COVID-19 në shëndetin e njeriut dhe ekonominë, por edhe për ngadalësimin e evolucionit viral dhe shfaqjen e varianteve që mund të ndryshojnë dinamikën e transmetimit ose të ndikojnë në dobi të diagnostikimit, terapeutikës dhe vaksinave”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.