Koronavirusi

COVID-19: Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miraton projekt-ligjin prej 2 trilionë dollarëve

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka miratuar pakon e stimulimit kundër koronavirusit prej 2 trilion dollarë, duke dërguar projekt-ligjin për nënshkrim tek presidenti amerikan, Donald Trump

Michael Gabriel Hernandez  | 28.03.2020 - Përdıtësım : 28.03.2020
COVID-19: Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miraton projekt-ligjin prej 2 trilionë dollarëve Foto: AA/Arhiv

Washington

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka miratuar pakon e stimulimit kundër koronavirusit prej 2 trilion dollarë, duke dërguar projekt-ligjin për nënshkrim tek presidenti amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Votimi u bë edhe përkundër kundërshtimit nga kongresisti Thomas Massie, një republikan që u zotua të vonojë miratimin e projekt-ligjit duke bërë thirrje për një votim me zë, për çka nevojitej që shumë anëtarë të Kongresit të ktheheshin në Washington në mes të pandemisë së koronavirusit.

Përpjekja e kongresistit Massie shkaktoi kritika të ashpra nga kolegët e tij republikanë dhe nga presidenti Trump, i cili bëri thirrje që ai të dëbohej nga Partia Republikane.

"Ai thjesht dëshiron publicitetin. Ai nuk mund ta ndalojë atë, vetëm ta vonojë, që është edhe e rrezikshme dhe e kushtueshme", shkroi Trump në twitter, duke shtuar se "punëtorët dhe bizneset e vogla kanë nevojë për para tani për të mbijetuar dhe se virusi nuk është faji i tyre."

Masat që tashmë u miratuan në Senat, përfshijnë pagesa prej 1.200 dollarë për shumicën e amerikanëve, forcojnë përfitimet e papunësisë dhe ofrojnë qindra miliona dollarë ndihmë ekonomike për korporatat e mëdha dhe bizneset e vogla që përpiqen të përballen me ndikimet ekonomike të shkaktuara nga përhapja e virusit COVID-19.

Pas miratimit, presidenti Trump nënshkroi paketën stimuluese në vlerë prej 2.2 trilionë dollarë dhe tha se paketa është "më e madhja për lehtësimin ekeonomik në historinë amerikane" dhe "dy herë më e madhe se çdo projekt-ligj lehtësimi i miratuar ndonjëherë".

"Ky projekt-ligj do të japë lehtësim të nevojshëm urgjent për familjet, punëtorët dhe bizneset e kombit tonë", shkroi Trump në twitter menjëherë pas nënshkrimit të paketës stimuluese. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.