Trajnerja e futbollit u jep shpresë të rinjve në Nigerinë veriore
Hidaa Ahmad Ghaddar, e cila themeloi Akademinë e Futbollit Breakthrough në shtetin Kano në Nigerinë veriore për të mbështetur të rinjtë ka bashkuar shumë të rinj me futbollin me mjetet e saj.
Kano
Hidaa Ahmad Ghaddar, një trajnere femër e lindur në Liban, po ndriçon rrugën për të rinjtë në Nigerinë veriore, ku gratë që luajnë futboll nuk shihen me sy të mirë nga shoqëria.
Ghaddar, e cila themeloi Akademinë e Futbollit Breakthrough në shtetin Kano për të mbështetur të rinjtë të pafavorizuar me të ardhme të pasigurta në futboll, ka bashkuar shumë të rinj me futbollin me mjetet e saj.
Gruaja me origjinë nga Libani, por e lindur dhe e rritur në Nigeri, foli për Anadolu rreth akademisë dhe karrierës së saj në futboll.
Ghaddar deklaroi se interesi i saj për futbollin daton që nga fëmijëria e saj. "U rrita mes djemve dhe luaja vazhdimisht futboll me ta. Dashuria ime për futbollin në fakt vjen prej aty", tha ajo.
Ajo shpjegoi se për shkak se gratë që luanin futboll nuk ishin të mirëpritura në Kano, shkoi në Liban për të ndjekur universitetin pasi mbaroi shkollën e mesme, ku u regjistrua në një akademi futbolli dhe vazhdoi karrierën e saj në futboll.
- Lëndimi ia shkatërroi ëndrrën
Ghaddar, e cila tha se ëndërronte të bëhej futbolliste profesioniste, por iu desh të hiqte dorë nga ky qëllim për shkak të një dëmtimi të rëndë, deklaroi: "Pësova një dëmtim shumë të rëndë ndërsa luaja në akademi dhe u desh të hiqja dorë nga futbolli profesional. Pas kësaj, vendosa të vazhdoja si trajnere, jo si lojtare".
Ajo deklaroi se u kthye në Kano për të kontribuar në komunitet. Duke theksuar se ka shumë të rinj të talentuar në Kano, por jo mundësi të mjaftueshme për t'i udhëhequr dhe zhvilluar ata, Ghaddar tha se për këtë arsye themeloi Akademinë Breakthrough.
"Ka shumë talent në Kano, por nuk ka askush që t'i motivojë ose t'i udhëheqë ata. Kjo është arsyeja pse doja t'i ndihmoja të rinjtë", tha Ghaddar.
Duke theksuar se të qenit trajnere femër solli sfida serioze për të, Ghaddar tha: "Në fillim, ishte shumë e vështirë të bashkoja lojtaret. Meqenëse isha grua, askush nuk donte të më afrohej. Ata u mësuan me kalimin e kohës".
Ghaddar deklaroi se Akademia Breakthrough mbulon të gjitha shpenzimet e saj me burimet e veta dhe theksoi se mungesa e fondeve dhe infrastrukturës janë problemet e saj më të mëdha.
Ajo shpjegoi se nuk ka mbështetje të jashtme dhe ata madje kanë vështirësi të gjejnë një fushë për t'u stërvitur.
- Ëndërron të krijojë një ekip futbolli për femra
Pavarësisht të gjitha vështirësive, Ghaddar tha se nuk është dorëzuar dhe beson në të ardhmen e akademisë.
Ghaddar theksoi se një nga ëndrrat e saj më të mëdha është të krijojë një ekip futbolli për femra në Kano, duke thënë se futbolli nuk është një sport vetëm për meshkuj.
"Mendoj se futbolli është një sport që të gjithë mund ta luajnë. Ka talente të jashtëzakonshme midis vajzave këtu", tha Ghaddar, duke përmendur potencialin e futbollit në Nigerinë veriore.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
